E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllai i shefit të komisariatit, në kërkim për grabitje me armë

Gazeta Shqip

Kukësi shpall në kërkim të afërmin e oficerit, me detyrë në Vlorë

Fshehja - Emri i të kërkuarit Kitmir Elezaj u mbajt i fshehtë për disa ditë dhe rezulton se është vëllai i shefit të Komisariatit të Vlorës

Dyshimet - I riu dyshohet se bashkë me tre persona të tjerë, më 28 gusht kanë kryer grabitjen e një familjeje kosovare në Rrugën e Kombit

SHKB-ja - Sipas burimeve, për këtë rast është vënë në dijeni edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, që ka nisur verifikimet për oficerin

Familjarët e shefave të policisë po kthehen në një kontingjent të rrezikshëm për krime të rënda. Pas ngjarjes së dy javëve më parë, kur djali i një shefi policie u arrestua si i dyshuar për trafik të lëndëve narkotike, vëllai i një tjetër oficeri të lartë policie është shpallur në kërkim, po për një vepër të rëndë penale. Ai është i dyshuar për grabitje me armë, ndërkohë që vetë punonjësit e policisë, të cilët kanë identifikuar të dyshuarin ndihen të kërcënuar nga lidhjet që i kërkuari ka në nivele të ndryshme të Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për Kitmir Elezajn, i cili është shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Kukësit dhe rezulton se është vëllai i shefit të Komisariatit të Vlorës, Alfred Elezaj. Madje, ai dyshohet se ka një kushëri tjetër në një funksion të lartë të policisë.

Burimet policore nga Kukësi bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur më 28 gusht, kur është grabitur një familje kosovare. Për këtë ngjarje, policia deklaroi atë ditë se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në segmentin e autostradës që kalon nëpër Kukës, pikërisht tek Ura e Drinit të Zi, ku pre e grabitjes ka rënë një familje kosovare, që po udhëtonte drejt Durrësit. Madje, zyrtarisht u tha atë ditë se është arrestuar një 18-vjeçar dhe janë shpallur në kërkim tre shokë të tij. Burime të policisë tregojnë se te vendi i kthesës, ku makinat e ngadalësojnë shpejtësinë, grupi i adoleshentëve ka ndaluar makinën me targa Kosove, duke e detyruar shoferin dhe disa persona të familjes së tij, që kanë qenë në makinë, tu japin çantat dhe gjërat e tjera me vlerë. Megjithatë, atë ditë nuk u bënë publike detaje të tjera mbi autorët e krimit të rëndë. Gazeta Shqip ka mundur të zbulojë emrat e tre personave të tjerë, mes të cilëve është edhe Kitmir Elezaj, i cili rezulton se është vëllai i oficerit të policisë, Alfred Elezaj, i cili mban gradën Kryekomisar dhe funksionin e shefit të Komisariatit të Policisë së Vlorës. Gjithashtu, i shpalluri në kërkim do të verifikohet nëse ka ushtruar aktivitet kriminal në qytete të tjera, duke mos përjashtuar as qytetin e Vlorës, ku vëllai i tij është shef komisariati, pasi sipas analistëve të policisë, kontingjenti ka filluar të lëvizë nga qyteti në qytet, duke vështirësuar më shumë zbardhjen e krimeve të rënda.

Por, kjo ngjarje nuk ka kaluar lehtë për oficerët e hetimit të krimit, të cilët kanë bërë zbardhjen e ngjarjes së rëndë, si dhe kanë ngritur dyshimet se ai mund të ketë marrë pjesë edhe në ngjarje të tjera të së njëjtës natyrë. Ata shprehen për gazetën Shqip se ndihen të kërcënuar për shkak të lidhjeve që i kërkuari ka me oficerët e policisë, ndërkohë që shprehen se ka edhe një lidhje tjetër farefisnore me një oficer në nivel më të lartë se shefi i Komisariatit të Vlorës. Për këtë ngjarje mësohet se është vënë në dijeni edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, i cili po heton nëse vëllai i të kërkuarit, apo persona të tjerë në polici kanë ndikuar në pengimin e hetimit apo implikimin e tyre në mënyra të tjera antiligjore.

Ndërkaq, shqetësues mbetet fakti që familjarët e oficerëve të ndryshëm të policisë rezultojnë në shumë raste të implikuar në situata të ndryshme kriminale, ku nuk përjashtohen edhe rastet e rënda, pavarësisht se përgjegjësia penale është personale. Një rast i tillë u regjistrua dy javë më parë, kur në Tiranë u arrestua djali i një tjetër oficeri policie. Më 25 gusht, antidroga e kryeqytetit arrestoi djalin e komandantit të Pikës Kufitare në Sopik të Gjirokastrës, pasi bashkë me një shokun e tij, po tentonin të trafikonin 45 kg drogë drejt Kosovës. Ngjarja e rëndë ka sjellë menjëherë reagimin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, oficerët e të cilit, veç arrestimit të 19-vjeçarit, kryen verifikimet edhe për babanë e tij, Ediat Kanina, me detyrë drejtues në Drejtorinë Rajonale të Kufirit në Gjirokastër. Në këtë rast, kur antidroga ndaloi makinën ku udhëtonte djali i oficerit të policisë, duke improvizuar një kontroll të rastësishëm, menjëherë, Kristi Kanina ka reaguar, duke u shprehur se ishte djali i një kolegut të tyre. Por, ai nuk e ka ditur se ishte në vëzhgim prej disa kohësh dhe që agjentët e antidrogës e dinin mirë se mjeti i tij ishte i mbushur me kanabis. Red. Akt.

Vëllai i shefit të komisariatit, në kërkim për grabitje me armë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›