Vlorë, dështon tentativa e grabitjes së argjendarisë, policia në kërkim të autorëve
Dështon një tentativë grabitjeje në Vlorë, ndërkohë që policia po punon për kapjen e dy autorëve. Burimet policore pohojnë se rreth orës 08:50 të ditës së sotme, dy persona të armatosur, kanë tentuar të grabisin një argjendari, pranë teatrit Petro Marko, në qendër të qytetit bregdetar.
Të njëjtat burime kanë saktësuar se njëri prej tyre, i armatosur dhe i maskuar me skafandër, i është drejtuar argjendarisë, në kohën kur pronari po ngrinte qepenin. Nën kërcënimin e armës, ai ka tentuar të grabisë floririn që ndodhej në dyqan, por ka hasur në kundërshtimin e pronarit, 45-vjeçarit Sokol Beqiraj.
Agresori e ka qëlluar me qytën e pistoletës në kokë dhe më pas është larguar, nga frika se do të pikasej nga kalimtarët e shumtë. Sipas policisë njëri prej agresorëve është identifikuar dhe po punohet për ndalimin e tij.
Ndërkohë 45-vjeçari Beqiraj është shoqëruar në spital dhe pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, është lejuar të kthehet në shtëpi.
7 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
Vlorë, dështon tentativa e grabitjes së argjendarisë, policia në kërkim të autorëve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip