E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet ku parlamenti shndërrohet në arenë grushtesh

Janë disa vende ku të zgjedhurit e popullit mosmarrëveshjet politike i zgjidhin nëpërmjet konfrontimit fizik në tempullin e demokracisë. Në këtë drejtim prin Ukraina, e listës para pak ditësh i është shtuar edhe Franca

Francë
Të enjten në mbrëmje, në Asamblenë Kombëtare franceze ka pasur “fërkime”, e dikush ka thënë se nuk kanë munguar edhe goditjet. Situata është nxehur në orët e fundit të debatit rreth projektligjit që lejon martesat e personave të së njëjtës gjini. Projektligji kundërshtohet ashpër nga deputetët e partisë kryesore opozitare UMP, të cilët në këtë betejë janë përkrahur edhe nga mijëra qytetarë, që ishin mbledhur jashtë ndërtesës. Incidenti në Asamble ka nisur kur deputetët e UMP-së i janë vërsulur bankave të qeveritarëve pas një mimike të një bashkëpunëtori të ministres së Drejtësisë, e cila është sponsorizuese e projektligjit kontrovers. Një deputet socialist ka treguar se ka pasur “grushtime”.

Ukrainë
Deputetët që nuk përtojnë fare t’i marrin gjërat “në duar” janë ata ukrainas. Ata shpesh përfshihen në ngatërresë të përgjithshme sa që nuk dihet kush kujt po i sjell. Konfrontimi i tillë i fundit është ai i 19 marsit. Një deputet i Partisë së Rajoneve (partia e presidentit Yanukovych, prorus), ka nisur një fjalim në gjuhën ruse, gjë që ka ngjallur reagimin e deputetëve të partisë nacionaliste Svoboda, të cilët e kanë ndërprerë duke i brohoritur. Deputeti, të cilit i është ndërprerë fjala, kolegët nacionalistë i ka quajtur “neofashistë”. Dhe, pa një pa dy ka shpërthyer përleshja me grushte. Gjuha ruse është një prej çështjeve që e ndan thellë vendin.

Më 13 dhjetor, është një çështje teknike ajo që ka nxitur kacafytjen. Opozita kishte kërkuar që të respektohej vota personale e secilit deputet në Parlamentin ukrainas, ku votimi elektronik i mundësonte disa deputetëve të votonin për të tjerët, në kundërshtim me atë që parashihet me Kushtetutë.
Para një viti, çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës ruse ka qenë shkaku i fillimit të përleshjes, e cila ka rezultuar me shpërndarjen e parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.Vlen të theksohet se afër vendit ku po përleshen deputetët ukrainas kohëve të fundit po shihet edhe kampioni botëror i peshave të rënda në boks, Vitaly Klitschko, i cili që nga 15 dhjetori 2012 është deputet i Parlamentit, pasi partia opozitare që e drejton ai UDAR ka fituar 40 ulëse.

Tajvani
Edhe Tajvani është i njohur për debate të stuhishme. Deputetët atje qëllojnë kundërshtarët me shishe uji, ushqim e madje edhe çjerren me thonj si maçokët, sikur ka ndodhur më 8 korrik 2010, kur është diskutuar çështja e marrëdhënieve tregtare me fqinjin kinez, një temë që në vazhdimësi shkakton polemikë të ashpër.

Afganistan
Në korrik 2011 në Afganistan dy deputete i kanë përvjelë mëngët. Përleshja ka nisur pas një sulmi me këpucë, me ç’rast kundërshtarja është përgjigjur me goditje me shishe uji. Zemërimi i të parës duket se ishte shkaktuar nga një vërejtje e së dytës në lidhje me zëvendëspresidentin e parë afgan, Mohammed Qasim Fahim, një komandant kundërthënës dhe ish-krahu i djathtë i Ahmed Shah Massudit, figurë e njohur e rezistencës antisovjetike dhe antitalebane.

Koreja Jugore
Edhe parlamenti jugkorean është i njohur për ngatërresa të dhunshme. Pas një përleshjeje që ka ndodhur në korrik 2009 një deputet i opozitës ka përfunduar në spital. Partia konservatore në pushtet kishte sjellë për miratim projektligje, të vonuara për kohë të gjatë, rreth kufizimeve për pronarët e medieve. Dhjeta persona qenë lënduar.

Rusia
Në Rusi përleshja fizike ka ndodhur shumë më herët. Më 3 dhjetor 1992, grushtet kanë kërsitur në Kongresin e Deputetëve të Popullit të Rusisë gjatë një debati për reformat ekonomike. Ndërkohë që kryetari i Parlamentit, Ruslan Hasbulatov, kundërshtar i Boris Yeltsinit, është në tribunë, rrethohet nga deputetët reformatorë. Pas pak shkëmbehen disa grushte dhe seanca ndërpritet./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›