E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendi i vuajtjes dhe i vrullit

Share

Nga Enver Robelli

20 vjet pas fillimit të luftës: një udhëtim nëpër Bosnjë-Hercegovinë

1.

Bosnjë-Hercegovina është një vend i çuditshëm. Ka një qeveri përgjegjëse për gjithë vendin, e cila pothuaj nuk ka kompetenca. Pastaj dy entitetet federata bashnjako-kroate dhe republika e serbëve kanë qeveritë e tyre. Federata është e ndarë në dhjetë kantone dhe secili kanton ka qeverinë e vet. Bosnja nuk ka një president, por tre, nga një për secilën prej tri grupeve kryesore etnike, boshnjakët (myslimanët), serbët dhe kroatët. Secili nga anëtarët e presidencës ushtron funksionin e kryesuesit për tetë muaj, pastaj vjen tjetri, e kështu me radhë deri në mbarim të mandatit. Në të gjitha nivelet e burokracisë Bosnja ka mbi 180 ministra! Prandaj në Sarajevë mund ta dëgjoni këtë barsoletë: kur në qytetin e vjetër një qytetar i thotë një zotërie me kravatë: Mirëmëngjesi, zoti ministër, atëherë pothuaj të gjithë kalimtarët e kthejnë kokën, sepse çdonjëri mendon se është ministër.

2.

Në shikim të parë në Sarajevë nuk shihet asnjë gjurmë lufte. Së paku në qendër. Në Bashçarshi, në lagjen kryesore të qytetit të vjetër, jeta ecën me rrjedhën e rëndomtë. Dyqanet punojnë, zanatçinjtë prodhojnë artikujt e tyre, berberi më shumë flet se sa pret flokë, shitësit e suvenirëve nuk u ndahen turistëve, japonezët fotografojnë, turqit drejtojnë shikimet nga xhamitë dhe objektet e tjera që i ka lënë trashëgimi Perandoria Osmane, austriakët befasohen me pjesën e qytetit të ndërtuar nga arkitektët më të mirë të Perandorisë së Dyfishtë (Austro-Hungareze), zviceranët shikojnë me kureshtje këtë qytet, por nga distanca diskrete.

3.

Në zemrat e njerëzve, në kujtimet e tyre lufta, megjithatë, është e pranishme. Jo larg Bashçarshisë gjendet një përmendore në kujtim të 1.600 fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës. Duke ecur në asfalt do të shihni njolla me ngjyrë të kuqe. Janë gropëzat që kanë lënë granatat. Trëndafilat e Sarajevës. Një rrëfim për luftën quhet libri i gazetares amerikane Barbara Demick, e cila gjatë luftës jetoi bashkë me qytetarët e rrethuar. 20 vjet pas luftës ajo është kthyer në Sarajevë, më saktësisht në rrugën Logavina, banorët e së cilës i kishte portretuar gjatë luftës, kur çdo ditë ishte më shumë se një përpjekje për mbijetesë dhe çdo natë më shumë se një e kremte e mbijetesës.

4.

Ja si e përshkruan Barbara Demick ditën e 6 prillit 1992, e cila konsiderohet si ditë zyrtare e fillimit të luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Në Dobrinjë, një lagje me godina të larta, të ndërtuara për Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 1984, nisi një demonstratë spontane paqësore. Njerëzit u nisën drejt qendrës së qytetit, zunë vend para Parlamentit boshnjak, gjatë rrugës turma e njerëzve prej disa mijërave u rrit në dhjetëra-mijëra. (…) Ne mund të jetojmë së bashku, brohorisnin demonstruesit. Ne jemi për paqe. (…) Dikur dikush bërtiti: Gore, snajper! (Lart, një snajper!). Njerëzit filluan të ikin dhe bashkë me ta edhe Esadi (një banor i Sarajevës, v.j.). Ne ishim krejtësisht të papërgatitur dhe naiv, thotë ai sot. Kurrë në jetë nuk kisha menduar se njerëzit do të shtinin ndaj nesh si kundër pëllumbave. Të shtënat erdhën nga katet e sipërme të Holiday Inn. Nuk kishte dyshim se kush ishte përgjegjës. Radovan Karaxhiqi i kishte marrë me qira katet e sipërme të hotelit më modern të Sarajevës një trashëgimi tjetër e Lojërave Olimpike të vitit 1984 dhe i shfrytëzonte ato si seli për Partinë Demokratike Serbe (SDS). Policia u fut në hotel dhe arrestoi gjashtë persona, mes tyre edhe truprojën e Karaxhiqit. Atë ditë, më 6 prill 1992, në Sarajevë u vranë 14 njerëz. Në anale kjo ditë do të hynte si ditë e fillimit të luftës.

5.

Përtej historisë së përgjakshme Sarajeva ka një të kaluar të lavdishme. Shembull i parë që përmendin qytetarët e kryeqytetit të Bosnjës është ky: Sarajeva ka pasur tramvaj para Vjenës. Dhe kjo është e vërtetë. Pas zaptimit të Bosnjë-Hercegovinës në vitin 1878 Perandoria Austro-Hungareze ndryshoi pamjen e Sarajevës. U shtruan disa vija tramvaji, pranë pjesës orientale të qytetit u ngritën godina si në Vjenë, u hapën fabrika. Për të realizuar këto projekte administratori i Bosnjës, Benjámin von Kállay, solli nga Vjena dhe nga qytetet e tjera të perandorisë arkitektët më ambiciozë, më novatorë. Njëri prej tyre ishte Josip Vancash, i cili në Sarajevë qëndroi plot 37 vjet. Ndonëse ishte adhurues i madh i arkitekturës vjeneze, Vancash nuk e imitoi atë plotësisht në Sarajevë, por u përpoq që ndërtimet tia përshtatë ambientit dhe historisë boshnjake. Për ndërtimin e katedrales së Sarajevës ai mori si model Votivkirche (një kishë në Ringstrasse, rrugën e famshme të Vjenës), por duke ia përshtatur përmasat e saj kryeqytetit të Bosnjës. Në fund të viteve 80-të të shekullit XIX Vancash dizajnoi tri objekte, në të cilat i inkorporoi edhe karakteristikat e arkitekturës islame: biblioteka për lexues myslimanë (u shkatërrua para Luftës së Dytë Botërore), hoteli Central dhe hamami i emëruar sipas themeluesit të Sarajevës, Isa Beg Is-hakoviq. Arkitekti tjetër, të cilin e solli në Sarajevë Benjámin von Kállay, ishte Alexander (Karl) Wittek. Ky është autor i ndërtesës mbase më mbresëlënëse të Sarajevës: Vijenica (në gjuhën boshnjake), Rathaus (gjermanisht), në shqip: qendra reprezentative e administratës së qytetit. Vitrazhet në dritare, kupola e madhe prej qelqi, foajeu gjashtëkëndësh të kujtojnë Alhambrën, kështjellën e Granadës në Spanjë, të cilën e kishin ndërtuar sundimtarët maurë. Gjatë kohës së Jugosllavisë së Titos, Vijenica ishte bibliotekë nacionale. Në gjysmën e parë të viteve 90-të forcat serbe e qëlluan disa herë me granata e raketa këtë ndërtesë, duke djegur miliona libra e dokumente.

6.

Çdo udhëtim në Srebrenicë është si një ecje këmbëzbathur mbi xhama të thyer. Ky qytet në lindje të Bosnjës, në kufi me Serbinë, nuk e lë askënd indiferent. Në korrik të vitit 1995 këtu forcat serbe, nën komandën e gjeneralit Ratko Mladiq, masakruan rreth tetë mijë burra e djem boshnjakë. Trupat holandeze të OKB-së, që gjendeshin në hyrje të qytetit, të vendosura në një fabrikë të baterive, u dorëzuan turpshëm përballë makinerisë serbe. Fabrika e dikurshme tani është qendër përkujtimore. Brenda një kubi të zi në një ekran të madh shfaqet pandërprerë një film mbi Srebrenicën e rrethuar dhe të pushtuar, mbi Srebrenicën e përgjakur dhe të shkatërruar. Në një moment shihet gjenerali Ratko Mladiq duke hyrë në Srebrenicë. Ai thotë: Ja ku gjendemi në Srebrenicën serbe, të cilën po ia dhurojmë popullit serb. Tani, më në fund, erdhi koha tu hakmerremi turqve në këto hapësira. Dita kur po qëndronim në Srebrenicë ishte historike: derisa ecnim me vizitorë të tjerë nga Zvicra, Austria e Amerika nëpër fushën me varre të panumërta në Potoçari, në Hagë një prokuror amerikan i Tribunalit për ish-Jugosllavi lexonte aktakuzën kundër Ratko Mladiqit.

7.

Të shkosh në Srebrenicë e të mos vizitosh restorantin Misirlije t

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›