E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një zë europian në dy dekada, 1992 -2012

Share

Në 1 qershor mbushen 20 vite nga fillimi i programeve të Radios Deutsche Welle në shqip. Ky stacion gjerman ka një rol dhe ndikim të jashtëzakonshëm, jo vetëm në informimin e publikut me standarde të qëndrueshme gazetareske, por dhe në përcjelljen e frymës europiane tek shqiptarët kudo jetojnë, në promovimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, në realizmin sistematik të projekteve konkrete për kualifikimin në të gjitha nivelet të kolegëve nga redaksitë lokale etj.

 

Radio Gjermane për Botën e Jashtme, ose Deutsche Welle (Vala Gjermane) ka nisur zyrtarisht transmetimin e saj më 3 maj 1953. Në një fjalim të presidentit të atëhershëm gjerman, Theodor Heuss, përshkruhej synimi kryesor i këtij radiostacioni publik, si një përpjekje konkrete për shtensionimin e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe pjesës tjetër të botës, pas periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Transmetimet e para të DW-së ishin me valë të shkurtra, por hap pas hapi aktiviteti i saj është zgjeruar duke arritur në ngritjen e një rrjeti programesh në rreth 30 gjuhë të ndryshme, me ekipe multinacionale, të cilat bëjnë të mundur produkte në versionin radiofonik, televiziv dhe në internet, me përdorimin e një teknologjie gjithmonë në evoluim.

Hapja e redaksisë shqipe ishte një iniciativë e njeriut që drejtoi për rreth 35 vite programet e Europës Juglindore, Dietrich Schlegel dhe drejtueses së programit, kryeredaktores Adelheid Feilcke – Tiemann, e cila e njihte shumë mirë gjuhën shqipe. E lindur në Hamburg, ajo e kishte nisur karrierën në media nga viti 1981, si redaktore dhe më pas si gazetare në radiostacione lokale dhe kombëtare, si WDR dhe Deutschland Radio. Kishte kryer studimet për Antropologji Kulturore dhe ishte diplomuar në nivelin Mastër në vitin 1990 për Etnomuzikologji.

Emisioni premierë i mbrëmjes së 1 qershorit 1992 zgjati 15 minuta dhe përmbante buletinin e lajmeve shkurt, një përshëndetje të Drejtorit të Përgjithshëm të atëhershëm të DW-së, Dieter Weirich, enkas për rastin e fillimit të programit në gjuhën shqipe, më pas vijuan materiale tematike me natyrë  politike dhe sociale.

Programi shqip i Radios DW në këto 20 vite ka aktivizuar një personel me mbi 50 vetë, të cilët me statuse të ndryshme dhe në kohëzgjatje të ndryshme kanë punuar ose vijojnë të punojnë në redaksinë dhe studiot qendrore, apo si korrespondentë në terren. Kryeredaktorja për 13 vite rresht e programit, Adelheid Feilcke Tiemann, më 1 prill 2005, mori detyrën e drejtores së marrëdhënieve ndërkombëtare në DW. Në vendin e saj erdhi Fabian Schmidt, që në atë kohë drejtonte programin në gjuhën boshnjake, po në DW. Kryeredaktori i ri, që së bashku me Feilcke Tiemann-in zhvilluan turin prezantues në fillim të prillit në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë, ishte një ekspert shumë i njohur i çështjeve shqiptare dhe rajonit ballkanik në tërësi.  Nga mesi i viteve 90 Fabian Schmidt ka punuar për një kohë të gjatë si reporter dhe editor për OMRI-n (Open Media Research Institute) një organizatë jofitimprurëse me qendër në Pragë, që ka realizuar një sërë publikimesh serioze dhe për tranzicionin në Europën Juglindore. Lehtësi i ka dhënë aktivitetit të tij rajonal dhe njohja jo vetëm e gjuhës shqipe, por dhe asaj boshnjake, serbe, kroate dhe angleze. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit të vitit 1997, Fabian Schmidt, ishte pjesë e ekipit të vëzhguesve ndërkombëtarë, ndërkohë që ai bashkëpunonte dhe me përfaqësinë e OSBE-së në Shqipëri, me Institute for War and Peace Reporting dhe me Radion Free Europe në Pragë.

Ardhja e tij në krye të redaksisë shqipe përkonte me një sërë ndryshimesh strukturore në program, më shumë me orientimin drejt shërbimeve on line, duke e bërë më dinamike dhe më të larmishme formën dhe përmbajtjen e web-it. Fabian Schmidt qëndroi si kryeredaktor deri më 1 nëntor të vitit 2009, kur mori emërimin në sektorin e Europës së programit qendror të Deutsche Welle-s.

Pas kësaj date programi shqip i DW-së nuk ka pasur të emëruar zyrtarisht në postin e kryeredaktorit. Në kuadër të procesit të ristrukturimit dhe reformimit të institucionit, pas largimit të Fabian Schmidt si kryeredaktor, këtë detyrë e ka kryer Verica Spasovska, e cila në të njëjtën kohë vijon të jetë dhe Drejtoreshë për Programet e Europës Qendrore dhe Juglindore në DW.

Në pikëpamjen organizative e ngarkuar me drejtimin e aktivitetit të programit shqip është redaktorja Vilma Filaj Ballvora, që siç e kam përmendur më herët, ka qenë prezente që në përgatitjen dhe transmetimin e emisioneve të para. Përveç saj, si redaktorë të programit janë dhe Pandeli Pani dhe Auron Dodi, edhe këta të dy pjesëmarrës që në fillimet e programit të DW-së në shqip.

Në redaksi aktualisht punojnë si bashkëpunëtorë me status të ndryshëm kontraktualë me institucionin dhe Mimoza Cika-Kelmendi, Angjelina Verbica, Esat Ahmeti, Bahri Cani, Eliana Xhani, Lindita Arapi, Elert Ajazaj dhe Aida Cama. Në vite kanë punuar për programin shqip dhe Anila Shuka, (që ka mbuluar raportimin nga Berlini deri në vitin 2011 dhe aktualisht është bashkëpunëtore e lirë nga Mynihu), Islam Spahiu, Ismet Daci, Mirela Oktrova, Franko Egro, Sonila Sand, Halil Rustemaj, Suzana Starikova (ka raportuar për disa vite nga Berlini), kanë bashkëpunuar për një kohë dhe Alfred Mane, Emine Sadiku, Ani Spahivogli, Ardian Zagori, etj.

Në rrjetin e korrespondentëve në terren bëjnë pjesë Arben Muka dhe Ani Ruci në Tiranë (më parë kanë qenë Ben Blushi dhe Apollon Baçe), nga Gjirokastra Odise Kote, nga Shkodra Leka Plani (më parë ka punuar Andrea Hila), nga Prishtina raportojnë Bekim Shehu dhe Ajete Beqiraj (më parë ka punuar Valentina Saraçini Kelmendi, si koordinator Agim Zogaj dhe për një periudhë ka raportuar dhe Arbër Vllahiu), nga Maqedonia raporton Fatos Musliu (ka qenë më parë Teuta Arifi), në Mal të Zi është Vera Katana, në Luginën e Preshevës Jeton Ismaili, në Paris Artan Kutra, në Athinë Niko Anagnosti dhe në Londër Kimete Bytyçi. Materiale mbi zhvillimet në Maqedoni përgatit dhe Qeriman Bekteshi, ndërkohë që për disa vite kanë raportuar nga Roma Artur Zheji, nga Prizreni dhe Prishtina Fadil Gashi, nga Brukseli Viron Gjymshana etj.

Radio DW në gjithë aktivitetin ka marrë vlerësime të shumta nga ndjekësit e saj, si ata që e dëgjojnë në variantin audio, ashtu dhe ata që frekuentojnë faqen on line. Por një nga vlerësimet më të veçantë dhe më të rëndësishëm në aktivitetin 20 vjeçar të programit shqip të DW-së është bërë më 4 qershor 2009, kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë në atë periudhë Alfred Moisiu, i dha Medaljen e Mirënjohjes me motivacionin: Për kontributin e veçantë në konsolidimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë, njohjen e historisë së lashtë dhe të vlerave kulturore të popullit shqiptar, kuptimin e aspiratave të larta të tij për liri, demokraci e integrim dhe forcimin e miqësisë midis Shqipërisë e Gjermanisë.

 

Opinione:

Prof. dr. Bamir Topi, president i Republi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›