Era nga Uashingtoni dhe Brukseli po fryn kundër velave të Berishës
Në 24 maj, pa ndonjë lidhje me datën e fillimit të procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri shqiptar, apo me afatin që Komisioneri i Zgjerimit të BE-së Fule i kishte caktuar politikës shqiptare për të përfunduar reformën zgjedhore, Sekretarja e Shtetit Klinton i paraqiti Kongresit të SHBA-së raportin vjetor mbi praktikat e të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës. Në përmbledhjen ekzekutive të raportit (e cila ka të koncentruar qëndrimin politik të Departamenit të Shtetit) thuhet për Shqipërinë se Një ambjent i polarizuar zgjedhor, i karakterizuar nga incidente manipulimi dhe numërim të kundërshtueshëm votash, minuan të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar qeverinë e tyre në mënyrë të lirë.
Kjo shuplakë e Sekretares së Shtetit Klinton nuk kishte si të vinte në një moment më të papërshtatshëm për Berishën, i cili po akuzohej nga opozita shqiptare se deshte të mbante në fuqi kodin e vjetër zgjedhor, në mënyrë që të shantazhonte PS-në me rrezikun e zgjedhjeve të parakohshme të mbikëqyrura nga KQZ-ja e Ristanit. Dhe kuptohet që opozita e shfrytëzoi këtë erë të fortë që po frynte nga Uashingtoni kundër velave të Berishës ajo përfshiu në kushtet e negociatave presidenciale edhe reformën e papërfunduar zgjedhore.
Ndërsa dje fryu edhe një tjetër erë e fortë kundër velave të Berishës këtë radhë nga Brukseli. Komisioneri i Zgjerimit të BE-së Fule i deklaroi Top Channel-it se e kishte paralajmëruar politikën shqiptare që nëse nuk gjendet një marrëveshje përfundimtare për paketën e nëntorit para 24 majit, atëherë në vend të zgjidhjes ajo mund të kthehet në pjesë të problemit.
Fule gjithashtu deklaroi: “I kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerim të shkojë shpejt atje për të garantuar se nëse ka diçka që mund ta bëjmë ne, ta bëjmë, për të ndihmuar në kapërcimin e kilometrit të fundit për arritjen e marrëveshjes mbi paketën e nëntorit, në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për të gjetur me të vërtetë një zgjidhje.
Duke marrë zemër nga kjo deklaratë e fortë e Fules, opozita padyshim do ta ngrejë edhe disa decibel volumin e kërkesës së saj për të përfshirë në tryezën e negociatave presidenciale edhe paketën e nëntorit reformën zgjedhore, parlamentare, dhe të imuniteteve. Dhe mbërritja së afërmi në Tiranë e Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerim të BE-së do ta shtojë forcën e erës që fryn kundër velave të Berishës.
Të shohim nëse varka e Berishës do ta marrë kthesën pas këtij presioni të fortë. Në qoftë se nuk e merr, Zaganjori ose një sozi e tij do të zgjidhet president me 71 vota, paketa e nëntorit do të mbesë e papërfunduar dhe Shqipëria nuk do ta marrë për herë të tretë statusin e vendit kandidat për BE
