Vendim për politikën monetare
17/12/2009 Banka e Shqipërisë
Banka e Shqipërisë zhvillon javën e ardhshme mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës ku do të diskutohet raporti i Politikës Monetare për muajin dhjetor 2009 dhe marrja e vendimit të politikës monetare. Sipas burimeve zyrtare të BSH-së, në këtë mbledhje do të miratohet dhe programi monetar për 2010-n, zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë për tremujorin e tretë të vitit 2009. Ky tremujor është karakterizuar nga shenja pozitive në ekonomi, në tregjet financiare dhe shënoi një pikë kthese në drejtim të rikthimit të besimit në sistemin bankar. Stabilizimi i situatës së likuiditetit, ruajtja e qëndrueshmërisë financiare dhe e treguesve të kapitalizmit të këtij sistemi, përbëjnë një platformë solide për rigjallërimin e rolit të tij ndërmjetësues dhe financues të ekonomisë. Të tjera çështje diskutimi janë miratimi i rregullores “Mbi organizimin dhe funksionimin e Departamentit të Statistikave të Bankës së Shqipërisë” dhe pasqyrat financiare për muajin nëntor të vitit 2009.