Vendim që i kursen vendit 80 milionë euro
Pakkush nga ne kishte hedhur sytë për të parë kalendarët e ditëve zyrtare të pushimit të vendeve të tjera ballkanike, apo edhe të vendeve të zhvilluara evropiane. Vetëm disa të huaj që punojnë e jetojnë në Shqipëri, jo rrallëherë na ishin shprehur në raste të ndryshme: “Sa shumë ditë zyrtare pushimi që keni ju!”. Dhe ne fakt, nëse bëjmë një kërkim në internet dhe hedhim sytë nga fqinjët, Italia ka nëntë ditë të tilla, Greqia tetë. Në tërësi, në kalendarët e vendeve evropiane, ditët zyrtare të pushimit maksimumi kapnin shifrën 7-8 ditë të tilla në vit. Kjo, jo pse këto vende nuk kanë shumë ditë të tjera festash fetare, shenjtërimesh e me radhë. Jo pse nuk kane raste për të festuar. Por thjesht këto ditë nuk i kanë zyrtarizuar si pushime, pse kanë kulturën e punës. E dinë se nuk mund të abuzohet, se ka një masë. Po ashtu, në asnjë nga vendet evropiane ditët e pushimit që binin të shtuna ose të diela, nuk bëheshin pushim të hënën tjetër. Tek ne kjo ka ndodhur për afro dy dekada. Shkak ka qenë një fragment i Kodit të Punës që e jepte këtë të drejte dhe o burra, të pushojmë sa më shumë. Po në kurriz të kujt? Praktikisht të vetvetes. Pse punojmë më pak, por edhe marrim shërbime publike më pak. Kështu që kalendari ynë i pushimeve zyrtare (festat kombëtare dhe fetare) nuk ka pak, por plot 13 ditë të tilla. Është kalendar rekord pushimesh, për libër “Guinness”-i. Duke shtuar edhe 4-5 ditë që zakonisht bien të shtuna ose të diela, bëjnë 18 ditë pushim. Jemi vendi me pushues në Evropë. Një “parajsë tropikale në mes të kontinentit punëtor!”. Madje kaq ditë pushimi nuk ka as edhe Arabia Saudite, vendi me rezervat e naftës më të mëdha në botë! Nuk mund të vijohej kështu. Ishte pikërisht koha që qeveria të korrigjonte këtë paradoks. Dhe ia vlen ta përshëndesim për atë që bëri, duke hequr pak kohë më parë me vendim të Këshillit të Ministrave atë pasazh të Kodit Civil që shprehet se kur një ditë pushimi zyrtar bie fundjavë, duhet të kompensohet me ditën e parë të punes të javës tjetër. Ende pak nga ne e dinë dobinë e jashtëzakonshme që një ditë pune e administratës shtetërore ka për vendin. Për të thënë të vërtetën, edhe vetë studiuesit e specializuar të ekonomisë nuk bien dakord në nivel botëror, kur llogarisin përfitimin ekonomik të një dite pune për ekonominë e një vendi. Kjo, pse përfitimit në para të thata (puna e ndërmarrjeve ekonomike shtetërore) i shtohet përfitimi në shërbime sociale që punonjësit e administratës publike kryejnë (mjekë, arsimtarë, punonjës të ndihmës sociale, etj). Megjithatë, duke futur në llogaritje edhe lehtësimin e kërkesave të biznesit nga fakti që në ditët jo-pushim administrata shtetërore kryen punë për ta, nga intensiteti i shërbimeve monopol për popullatën kur mjekët dhe arsimtarët janë në punë, një OJF shqiptare me emër ka arritur në përfundimin se përfitimi ekonomik dhe shoqëror i llogaritur në para për shoqërinë shqiptare nga një ditë e tillë që shkohet në pune, në vend të bëhet pushim, është të paktën 20 milionë euro. Duke pasur parasysh të paktën katër ditë të tilla për këtë vit (ditë pushimi zyrtar që bien të shtuna ose të diela, por që nuk do të kompensohen më), i bie që nga vendimi i mësipërm i Këshillit të Ministrave ekonomia dhe mbarë shoqëria jone të përfitojë në shërbime publike që do të kryhen dhe biznesi në lehtësira publike në masën rreth 80 milionë euro. Nuk janë pak, për një vend si vendi ynë që këtë vit do të përballet me pasojat e rënduara të krizës globale. Nuk mund të kemi me “luksin” të jemi vendi me ditët më të shumta zyrtare të pushimit në Evropë. Sidomos gjatë këtij viti të vështirë 2010 duhet të shikojmë të mund të nxjerrim edhe dhjamë nga pleshti, nëse mundemi. Filozofinë e kursimit që futi vetë Kryeministri me nismën për të pajisur të gjitha ambientet e administratës publike me llamba joinkandeshente, që harxhojnë energji elektrike dhjetë herë më pak se llambat e zakonshme, ia vlen ta fusim në çdo damar të shpenzimeve publike.