E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë, zonjën Teuta Arifi

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë, zonjën Teuta Arifi.

Kryeministri Berisha i uroi Zëvendëskryeministres Arifi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e saj dhe të qeverisë në këtë mandat.

Pasi e falënderoi Kryeministrin për mikpritjen, zonja Arifi shprehu kënaqësinë që vizitën e saj të parë, pas marrjes së detyrës së Zëvendëskryeministres, po e zhvillon në Shqipëri. Zonja Arifi i përcolli Kryeministrit përshëndetjet e përzemërta të Kryeministrit Gruevski dhe kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe u shpreh vullneti për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve dhe qeverive, në veçanti vendosmërinë për të zhvilluar projekte infrastrukturore që do të afrojnë më tej të dy vendet. Të rëndësishëm në këtë kontekst janë Korridori 8-të, linja hekurudhore që do të bëjë të aksesueshëm portet e Shqipërisë për Maqedoninë.  Kryeministri e njohu Zëvendëskryeministren Arifi me disa nga projektet që janë në zhvillim apo pritet të fillojnë si rruga e Arbrit që shkurton distancën Tiranë-Shkup me 100 kilometra, rruga Tiranë-Elbasan si pjesë e Korridorit të 8-të, fillimin vitin e ardhshëm të ndërtimit të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Shkup.

Në takim u vlerësua gjithashtu si shumë i rëndësishëm intensifikimi i bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, si një faktor nxitës për zhvillimin, stabilitetin dhe perspektivën europiane të tij. Në takim u rikonfirmua se integrimi europian është projekti madhor i vendeve të rajonit.

Kryeministri Berisha theksoi se vendet e rajonit duhet të përqendrohen në heqjen e barrierave dhe krijimin e kushteve për vendosjen në rajon të rregullave të njëjta me ato që vendet e Bashkimit Europian kanë vendosur mes tyre, që do të krijojnë mundësinë e krijimit të një tregu të njëjtë në rajon, vendosjen e procedurave që reduktojnë kohën dhe ndihmojnë e lehtësojnë biznesin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.


06/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›