Vendimi Gjykata i jep “OK” shembjes së 12-katëshit
Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Gjykata e Tiranës rrëzoi dje kërkesën e biznesmenit Ilir Mata, kunatit të deputetit të PS, Dashamir Peza, për ndërprerjen e prishjes së pallatit në qendër të Tiranës. Gjyqtarja Arjana Caco, e cila ka shqyrtuar dosjen, e ka konsideruar të pabazuar në ligj kërkesën e kreut të shoqërisë së ndërtimit TTA-ALBA-LAM shpk. Mata dorëzoi kërkesën për ndërprerjen e aksionit të inspektoriatit të lartë të ndërtimit, pas prishjes së 3 prej 12 kateve të pallatit më 7 dhjetor 2009. Në padinë dorëzuar në gjykatë kërkohej të shpallej i pavlefshëm akti administrativ për prishjen e pallatit si dhe të ndërpritej aksioni. Aksioni për prishjen e këtij pallati shkaktoi mjaft polemika mes kampeve politike. Deputetët e majtë e konsideruan aksionin si sulm të kryeministrit ndaj opozitës, nga ana tjetër u deklarua se në të gjitha rastet ku konstatohen abuzime do të ndërhyhet për prishjen e objekteve.
Shembja
Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, nisi një aksion për shembjen e një pallati në qendër të Tiranës. Pallati, që ndodhet pas “15-katëshit”, është në emër të kunatit të deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza, biznesmenit Ilir Mata. Fadromat kanë ndërhyrë në 3 katet e para të ndërtesës 12-katëshe dhe do të vazhdojnë me katet e tjera në ditët në vazhdim, pasi ekziston një urdhër për shembjen e të gjithë godinës. Sipas të dhënave, në vendin ku kryhet aksioni i Policisë Ndërtimore mësohet se në pallat nuk ka banorë, pasi godina është e papërfunduar. Në lidhje me këtë pallat ka pasur akuza nga banorët e zonës se është ndërtuar pa leje dhe pengon kalimin e banorëve që jetojnë në pallatet e tjera pas tij, ndërsa fillimisht thuhej se do të ndërhyhej vetëm në katet e para për të zhbllokuar rrugën. Në vendngjarje kanë mbërritur përfaqësues të OSBE-së dhe deputetë të Partisë Socialiste. Policia e Rendit ka rrethuar zonën duke lejuar Ndërtimoren që të vazhdonte normalisht shembjen e godinës. Deputeti Dashamir Peza është akuzuar kohët e fundit nga kryeministri Berisha për marrjen e lejeve të ndërtimit në mënyrë abuzive, i favorizuar edhe nga kryetari i Bashkisë Edi Rama. Ndërkohë që pas akuzave të kryeministrit Berisha, kryebashkiaku Rama është përgjigjur se lejet e ndërtimit jepen nga KRRT-ja, në të cilën gjysma e anëtarëve janë të zgjedhur nga Partia Demokratike.
Konflikti
Konflikti midis Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë për pallatin 12-katësh, i cili ndodhet në qendër të kryeqytetit, i ka fillesat që në zgjedhjet lokale të 2007-ës. Shpeshherë, kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, asokohe, Sokol Olldashi, ka akuzuar për dhënie abuzive të lejes së këtij pallati, i cili mësohet se është në pronësi të kunatit të deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza. Olldashi ka deklaruar se kur ai të vinte në pushtet, do të merrte masa, sepse pjesa më e madhe e pallatit është në tokë publike, mbi rrugë dhe pengon lëvizjen. Ndërkohë që për këtë ndërtesë shumëkatëshe edhe banorët e zonës janë ankuar, për shkak se u është bllokuar rruga dhe nuk kanë mundësi që të kalojnë për të shkuar në shtëpitë e tyre. Ndërkaq një tjetër pretekst për shembjen e këtij pallati nga Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit është edhe fakti se këtu kalon gjurma e segmentit të Unazës së Vogël, pasi sipas projektit të Bashkisë së Tiranës, segmenti i katërt i kësaj unaze do të kalojë pikërisht në pjesën para pallatit, dhe më pas do të lidhet me rrugën pas Muzeut Kombëtar.
Operacioni
Operacioni për prishjen e ndërtesës 12-katëshe, pronë e Ilir Matës, kunatit të deputetit PS, Dashamir Peza, nisi më 7 dhjetor. Fadroma dhe mjetet e rënda shembën muret dhe fasadën e katit të parë, të dytë si dhe dëmtuan rëndë katin e tretë të ndërtesës. Shembja nisi me një urdhër të nxjerrë nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Ndërkombëtar. Sipas Inspektoratit objekti është i paligjshëm dhe ka zënë një pjesë të rrugës e ndaj është urdhëruar shembja e tij. Deputeti Socialist Eduard Shalsi deklaroi se objekti është hipotekuar nga Zyra e Pasurisë së Patundshme. Zyrtarët e kësaj zyre kanë mohuar një gjë të tillë.
Kërkesa e Pezës
GJYKATËS SË RRETHIT GJYQËSOR TIRANË
I nderuar zoti gjyqtar,
Paraqesim para kësaj gjykate kërkesën me objekt: pezullimin e menjëhershëm dhe pandërprerje të zbatimit të aktit administrativ dhe shkak ligjor: nenin 131 të Kodit të Procedurave Administrative dhe 329 të Kodit të Procedurës Civile, me anë të së cilës kërkojmë pezullimin e vendimit Nr.l0, datë 07.12.2009 me Nr. Serie 001g35 të nxjerrë nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar të cilin e konsiderojmë si akt administrativ të paligjshëm, të nxjerrë nga një organ administrativ në kapërcim të kompetencave të tij ligjore, që cenon interesat dhe të drejtat e kërkuesit në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Meqenëse nga ana e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar që prej orës 16.00 e në vazhdim të datës 07.l2.2009 ka filluar ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit Qrlr.l0, datë 07.12.2009) dhe për pasojë deri aktualisht ndërsa po vazhdon ekzekutimi. Është arritur deri në prishjen e mureve anësore të 3(tre) kateve të para të godinës që po ndërton shoqëria TT.A ALBA LAM në bazë të Lejes së Ndërtimit, miratuar me vendimin Nr. 28, për objektin ll dhe l2 kate plus dy kate parkim
nëntokë, në rrugën "Urani Pano" në truallin prej (gjithsej 1gl.5M2 për të cilin zotëron të drejta Ilir Mata), konsiderojmë se vazhdimi i prishjes së godinës (e cila aktualisht është pothuajse e përfunduar në gjendjen e rifiniturave) nga ana e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar
në bazë të vendimit të tij të paligjshëm për arsyet e parashtruara në kërkesëpadi. Në kërkesë janë renditur 12 pika mbi të cilat mbështetet kërkesa për pezullimin e vendimit të prishjes së pallatit.
Ky lajm është publikuar: 29/12/2009