E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masat e policisë Siguri maksimale në ambasada dhe qendra tregtare

Autori i Lajmit: Redaksia
Në prag të fundvitit strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë informojnë se kanë planifikuar të marrin një sërë masash për parandalimin e ngjarjeve kriminale apo ngjarjeve të tjera që cenojnë rendin e qetësinë publike. Policia ka vënë në dispozicion numrat telefonikë pa pagesë për të denoncuar çdo veprim të paligjshëm apo ngjarje aksidentale. Numrat janë 129 dhe 126. Në një njoftim për shtyp informohet se masat janë marrë në drejtim të:
a- parandalimit, zbulimit dhe goditjes në kohë të çdo lloj tendence kriminale.
b- Rritjes së sigurisë në rrugë dhe parandalimit të ngjarjeve aksidentale.
c- Sigurimin e rendit dhe qetësisë në të gjithë territorin e qarkut të Tiranës e në veçanti në qendrat tregtare, bulevardet dhe sheshet kryesore si dhe në lokalet ku qytetarët do të festojnë ndërrimin e viteve. d- Sigurimit të ambasadave, rezidencave të tyre, objekte të rëndësishme, duke përfshirë edhe në nënstacionet elektrike e depot e ujit.
e-Bashkëpunimit me shërbimet e emergjencës si: ambulancat, zjarrfikësit. Duke marrë shkas nga aksidenti automobilistik i datës 27 dhjetor 2009, ku gjetën vdekjen 3 të rinj e 4 u plagosën, ka planifikuar masa dhe do të ushtrojë kontrolle të plota ndaj të gjithë drejtuesve të mjeteve, të cilët nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, ecin me shpejtësi tej normave të lejuara apo drejtojnë automjetin nën efektin e pijeve alkoolike. Kontrollet do të ushtrohen gjatë orëve të vona të natës dhe gjatë netëve që shoqërojnë festat e fundvitit. Grupe kontrolli të organizuara në vende të ndryshme si në qytet ashtu dhe në linja do të jenë në gatishmëri për të ruajtur sigurinë. Në fund të informacionit Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të bëjnë kujdes gjatë përdorimit të fishekzjarrëve dhe për të mos shkaktuar incidente.

Ky lajm është publikuar: 29/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›