Vendimi, SHIK riemërtohet në SHISH dhe zgjerohet fusha e veprimit

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin për disa ndryshime ligjore të Shërbimit Informativ Kombëtar, duke i zgjeruar fushën e veprimit ku mund të mbledhë informacion për sigurinë kombëtare.
Në projektligj parashikohet edhe ndryshimi i emërtimit nga “Shërbimi Informativ Kombëtar” (SHIK) në “Shërbimi Informativ i Shtetit” (SHISH).
Sa i përket zgjerimit të fushës së veprimit, SHISH do të mbledhë informacion brenda dhe jashtë vendit në funksion të sigurisë kombëtare, sigurisë kolektive dhe sfidave globale.
Gjithashtu do të mbledhë informacion për kërcënimet që vijnë nga aktiviteti i shërbimeve të inteligjencës së huaj, në të gjitha format që shprehet dhe shfaqet, në funksion të ruajtjes së integritetit, pavarësisë dhe rendit kushtetues.
Po ashtu SHISH do të mbledhë informacion për terrorizmin dhe ekstremizmin, krimet kundër mjedisit, prodhimin dhe përhapjen e armëve të dëmtimit në masë, si dhe për stabilitetin e brendshëm dhe rajonal.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që SHISH të mbledh informacion për kërcënimet ndaj sigurisë ekonomike, kërcënimet kibernetike dhe kërcënimet hibride, me impakt në mjedisin e sigurisë së vendit si dhe për kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë.
Projektligji parashikon edhe ndryshime në trajtimin financiar të drejtuesve të institucionit. Drejtori dhe zëvendësdrejtori i SHISH-it do të përfitojnë pagë bazë, shtesa për vjetërsi dhe për natyrë të veçantë pune, ndërsa trajtimi financiar i tyre do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu ata do të trajtohen nga legjislacioni për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit.
Në ndryshimet e propozuara përfshihet edhe përjashtimi i punonjësve të SHISH-it nga deklarimi i të ardhurave nga paga dhe nga sistemi i deklarimit e kontrollit të pasurive. Kontrolli i tyre do të kryhet nga një strukturë e posaçme brenda institucionit, sipas procedurave të miratuara nga drejtori i SHISH-it.
Ngarkohen Këshilli i Ministrave dhe drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojnë aktet nënligjore në zbatim të tij.
/m.q/a.f/r.e/