E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i 4 presidentëve: Prioritet integrimi në BE

Tryeza e organizuar në Vlorë nga Presidenti Bamir Topi me tre presidentët e vendeve fqinje të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë duket se ka rezultuar e suksesshme. Të katër presidentët kanë qenë të mendimit se prioritet për vendet e tyre është integrimi në Bashkimin Europian. Pas takimeve dypalëshe të katër presidentët kanë dalë në një konferencë për shtyp ku Presidenti Topi ka theksuar se është i nevojshëm intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik, dialogut politik dhe lëvizjes së lirë mes 4 vendeve. "U ra dakord për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik. Në plan të parë të këtij takimi ishte lëvizja e lirë mes 4 vendeve", tha Presidenti Topi, i cili u shpreh optimist në idetë e përbashkëta për realizimin e objektivave konkrete. "BE do të vlerësojë bashkëpunimin tonë", tha më tej kreu i shtetit shqiptar. Por interesi më i madh i gazetarëve ka qenë rreth marrëdhënieve mes Kosovës dhe Malit të zi e Maqedonisë. Të tre presidentët kanë vlerësuar frymën pozitive që ekziston mes vendeve të tyre dhe shtimin e bashkëpunimit diplomatik mes Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Pyetjes për Presidentin e Kosovës se kur do të shkëmbehen ambasadat mes Kosovës dhe Malit të Zi, Presidenti Sejdiu i është shprehur se janë bërë hapa para në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Presidenti Sejdiu edhe një herë ka përshëndetur vendimin që Mali i Zi ka marrë për njohjen e Republikës së Kosovës. Ndërsa Presidenti i Maqedonisë ka theksuar se tashmë Kosova është shtet më vete dhe përfaqësia e saj në nivelet më të larta nuk do të mungojë në samite dhe tryeza të ndryshme që do të organizohet për rajonin e Ballkanit. Ai ka premtuar se shumë shpejt Maqedonia do të organizojë një takim të tillë si ky i Vlorës ku nuk do të mungojnë ftesa përveç Presidentit Topi, Sejdiu, Vujanoviç edhe për Presidentin e Serbisë, Tadiç. Gjithashtu, edhe Presidenti i Malit të Zi, Vujanoviç, ka vlerësuar marrëdhëniet e mira mes vendeve fqinje, duke theksuar se i vinte mirë që Kosova mori pavarësinë e saj dhe mbështetjen nga Mali i Zi në kohën e duhur. "Janë për t‘u vlerësuar marrëdhëniet tona të brendshme, kur kemi dhe nevojën që të sigurojmë komunikimin e mirë të qytetarëve dhe bashkëpunimin ekonomik me Kosovën. Gjithashtu, respektoj mendimin që ka shprehur Presidenti Sejdiu, gatishmërinë për shkëmbimin e ambasadorëve dhe mirëkuptimin e tij si qytetari i parë i Kosovës dhe duhet të përdorim në mënyrën më të mirë arsyen për një vlerësim cilësor kur duhet të bëhet shkëmbimi i ambasadorëve", është shprehur Vujanoviç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›