E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zefi: Ne i mbajmë premtimet e dhëna

Kandidatja e PD-së për Qarkun e Korçës flet për avantazhet kryesore që ka PD-ja mbi opozitën, si edhe për objektivat e kësaj force politike për zhvillimin e këtij qarku.
Zonja Zefi, pse pranuat të largoheni nga detyra e prefektes për të kandiduar për deputete?
Kur u përzgjodha si kandidate për deputete, ndërmora një zotim: të jem unë, me eksperiencën time, e cila më bën të ndiej se kam fuqi të pashtershme, për të ndikuar në zhvillimin e shpejtë të Shqipërisë, në mënyrë që fëmijëve tanë të mos iu duhet të kërkojnë realizimin e ëndrrave të tyre, duke u larguar në vende të tjera të botës, por ta prekin ëndrrën që kanë këtu në Shqipëri. Ndiej se gjithsecili që ka ndjekur angazhimin tim në punë gjatë eksperiencës sime, beson se do ia kthejë Korçës atë që Korça më ka dhënë mua, dinjitetin, fisnikërinë, kulturën, e gjithçka tjetër. Ky ka qenë dhe ngelet motivi i punës sime në çdo pozicion, si profesore, si prefekte, me përkushtimin ndaj detyrës, vlerësimin ndaj njerëzve, duke kërkuar respektimin e kuadrit ligjor të shtetit shqiptar.
Cilat janë pesë avantazhet kryesore të garës së Partisë Demokratike në këto zgjedhje?
Në katër vite qeverisjeje demokratike, ne realizuam ëndrrat e gjithë shqiptarëve. Brenda mandatit tonë qeverisës, Kosova njohu pavarësinë e saj, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, aplikuam për të qenë pjesëtarë të familjes europiane. Shumë shpejt shqiptarët do të lëvizin në të gjithë vendet e Bashkimit Europian pa viza. Neve na besojnë, sepse nxorëm mijëra njerëz nga varfëria. Na besojnë, sepse sollëm mirëqenien në çdo familje, përmes punësimit, ngritjes së rrogave dhe pensioneve, por së pari duke luftuar korrupsionin, evazionin fiskal dhe monopolet dhe duke iu siguruar fermerëve shitjen e produkteve të tyre. Ne bëmë që rrogat dhe pensionet të dyfishohen, që shqiptarët të mos ankohen për mungesën e dritave, që uji të shkojë fshat më fshat, që të rinjtë të studiojnë atje ku dëshirojnë, që qytetari të mos ketë frikë nga bandat.
Në këndvështrimin tuaj, cilat janë pesë disavantazhet e kampit kundërshtar në këto zgjedhje?
Nuk ka shqiptar që njeh ndonjë forcë politike në vend me këtë emër, as e majtë dhe as e djathtë. Modeli i megakorrupsionit që ofron Edi Rama nuk është i pranueshëm për shqiptarët. Bashkia e Tiranës, sipas Bankës Botërore, për korrupsionin në lejet e ndërtimit renditet në vendin e tretë në botë. Njeriu që me ndihmësit e tij ka përvetësuar 70% të lejeve të ndërtimit, ka dëshmuar se edhe hajdutët kjo forcë i mban me hatër. Kryetari i Partisë Socialiste, i politikës as të majtë e as të djathtë, dëshmon se ka frikë nga gara. Veç kësaj, ne jemi të impenjuar të gjithë, jo për të fituar pushtetin përmes sloganeve dhe filozofive marramendëse që kërkojnë çorientimin e elektoratit, por duke qenë realë, konkretë dhe me këmbë në tokë, duke u treguar se alternativë e vërtetë është kjo e jona dhe vetëm kjo.
Cili është vizioni juaj për qytetin e Korçës, i përkthyer në veprime konkrete, çfarë reformash do të ndërmerrni?
Për hir të së vërtetës theksoj se Shqipëria e ka një alternativë të vetme zhvillimi, të hartuar mbi skicën e planit më të mirë. Shqipëria në Bashkimin Europian. Shkurtimisht do t‘u thosha se ne u ofrojmë shqiptarëve besnikëri, sinqeritet, ndershmëri siguri, mirëqenie, miqësi, përmirësim të cilësisë së jetës, lëvizje të lirë, studime në universitete, punësim, largim nga varfëria, dinjitet, familje të respektuar, familjen europiane, u sigurojmë të ardhmen. Do të jemi aty ku ata janë. Ne do të sjellim në katër vitet e ardhshme gjithçka që dëshirojnë shqiptarët. Ne i përmbahemi çdo premtimi.
Përtej pozicionimeve të fushatës, nëse do t‘u duhej të vlerësonit njërin prej kandidatëve kundërshtarë në qarkun tuaj, cili do të ishte ai?
Bazuar në sa më sipër, në çdo moment kam ndier se përballë kemi një kundërshtar që flet me sloganet e stilit të vjetër, që, në rrafshin politik, veç propagandës shpifëse, nuk ka asgjë në thelb. Sfidat e qeverisjes demokratike nga njëra anë dhe performanca negative e opozitës, ka bërë që njerëzit të jenë të vendosur në përkrahjen që i japin alternativës më të suksesshme, asaj të Partisë Demokratike. Ëndrrat e tyre ngelen vetëm një historik i së shkuarës. Shqipëria di të ecë vetëm përpara. Nëse kundërshtari politik do të kishte një alternativë të vërtetë për Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk do të më vinte keq të konsiderohej si opozitë në këtë fushatë elektorale, ku ne po bëjmë xhiron e botës me imazhin "Shqipëria po Ndryshon".

CV

1- Është diplomuar në Universitetin e Tiranës për Ekonomi
2- Ka mbrojtur titullin Doktore e Shkencave Ekonomike në Tiranë
3- Ka shkruar disa projekte me vlera në fushën e ekonomisë
4- Ka vazhduar studime dhe kualifikime pasuniversitare në Shqipëri dhe mjaft universitete të tjera në Europë
5- Është realizuese e disa studimeve, kërkimeve, drejtuese e disa projekteve me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare
6- Në 2005 është emëruar prefekte e Korçës, nga e cila ka hequr dorë pak ditë më parë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›