Vendimi i Apelit dhe zgjedhjet vendore, Alibeaj mbledh të hënën Grupin Parlamentar dhe Kolegjin e Kryetarëve

Vendimi i Gjykatës së Apelit, që riktheu çështjen e vulës së PD-së në gjykatën e shkallës së parë, duket se ka vënë në lëvizje Enkelejd Alibeajn.
Nëpërmjet një mesazhi, ai ka njoftuar deputetët se do të zhvillojë të hënën (6 mars) mbledhjen e Grupit Parlamentar, ku do të diskutohet pikërisht mbi situatën politike dhe qëndrimin e tyre në raport me zgjedhjet lokale të 14 majit.
Mbledhja do të mbahet rreth orës 12:00, ndërsa po të hënën, Alibeaj ka thirrur edhe mbledhjen e Kryesisë së Kolegjit të Kryetarëve.
Me vendimin e Apelit, vendimi i gjyqatarit Agron Zhukri, që njohu Kuvendin e 11 dhjetorit, tashmë është nul, ndërsa rrjedhimisht vula, sigla dhe logoja e PD i mbetet Lulzim Bashës, për shkak se zyrtarisht ai është i regjistruar në Gjykatën e Tiranës.
Grupimi i përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, i cili ka prezantuar tashmë kandidatët e tij për zgjedhjet vendore të 14 majit, ka të drejtë të regjistrohet me logon e PD. Megjithatë pritet të shihen veprimet që do të merren më tej.
/rtsh.al/