Vendimi për vulën e PD-së/ Meta: Regji e mirëmenduar e Edi Ramës

“Vendimi i gjykatës për vulën e PD ishte i diktuar nga kryeministri Edi Rama”, kështu ka deklaruar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një takim me strukturat e Partisë së Lirisë në Vaun e Dejës.
Teksa e konsideron qeverisjen e kryeministrit Edi Rama si “moniste”, Meta tha vendimi u mor i diktuar nga kreu i qeverisë, ndërsa si argument për këtë përmend zvarritjen e çështjes.
“Pushteti monist i Ramës ka detyruar 3 gjykatës që të shuajnë çdo shpresë kredibiliteti të kësaj drejtësia të dalë nga Rama-Forma. Nuk kam pasur asnjë iluzion që një vendim dje do të vinte, sepse vetëm një naiv dhe pa eksperiencë politike do mendonte që zvarritja prej një viti e vulës ishte rastësi. Jo, ishte regji e mirëmenduar e Edi Ramës. Vetëm një naiv mund të mendonte se ishte proces normal kur prokurori i përgjithshëm u zgjodh me 69 vota kur thuhet në Kushtetutë që duhet së paku me 84 vota”, tha Meta.
Kreu i PL-së theksoi se, pavarësisht vendimit të Apelit, opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Përmes këtij akti kaq brutal që ka shokuar çdo njeri që ka njohuritë më minimale të jurisprudencës, Rama tregoi panikun e thellë dhe njëkohësisht deligjitimoi plotësisht qeverisjen e vet ndaj çdo shpresë e tij se opozita do mund të mungojë më 14 maj të jetë e shuar për cilindo”, tha Meta.
Gjykata e Apelit ka vendosur ta rikthejë çështjen në gjykatën e shkallës së parë për të shqyrtuar se kujt do t’i përkasë drejtimi i Partisë Demokratike, grupit politik të Enkelejd Alibeajt apo grupit të Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha.
/rtsh.al/