Vendimi i Apelit për “Babalen” më 26 shtator, Salianji: Çështje e montuar për të më goditur politikisht

TIRANË, 20 shtator /ATSH/- Në Gjykatën e Apelit këtë të enjte u lexua pretenca për çështjen “Babale”, ku mes të akuzuarve është dhe deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji.
Në Apel deputeti Salianji kundërshton dënimin me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, pasi u shpall fajtor për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi. Sipas Gjykatës së Tiranës, ish-deputeti Salianji dhe gazetari kanë inskenuar një audiopërgjim dhe akuza të rreme penale ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa.
Gjatë seancës së zhvilluar sot, Prokurori i Apelit Arben Qosja, duke lexuar pretencën kërkoi që të ngelet në fuqi vendimi i shkallës së parë, si i mbështetur në prova dhe në ligj për deputetin demokrat Ervin Salianji.
“I qëndroj vendimit që është dhënë nga gjykata e shkallës së parë. Në tërësinë e provave dhe duke vlerësuar marrëdhëniet që kanë patur personat me njeri-tjetrin dhe nga të gjitha provat e tjera, çka tregojnë se kanë njohje me njeri tjetrin. Vlerësoj që vendimi i shkallës se parë është i drejtë. I kërkoj gjykatës së apelit lënien në fuqi të këtij vendimi”, u shpreh prokurori Qosja.
Salianji teksa mbrojti pafajësinë e tij, tha se se ishte dënuar padrejtësisht me mungesë provash dhe se s’kishte bërë as kallëzim të rremë, as krim dhe as çështje penale.
Avokati i Ervin Salianjit, Redi Ramaj u shpreh se, “i kërkojmë këtij trupi gjykues të prishet vendimi i Shkallës së Parë dhe të shpallet i pafajshëm klienti i mbrojtur prej nesh”.
Togat e zeza të Apelit, pasi dëgjuan të gjitha pretendimet e palëve, u tërhoqën për vendim, duke vendosur datën 26 shtator, si ditën kur do të zhvillohet seanca për dhënie vendimi për çështjen “Babale”.
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në fund të seancës u ndal në një prononcim për mediat, ku mohoi të ketë patur njohje me Alfred Alizotin.
“U përballa sërish në gjykatë për shkak se një i dënuar për trafik droge jetonte i lirë në Shqipëri, për shkak të mbrojtjes që i jepte vëllai i vetë. Sikurse është e qartë nga dokumentet përmes audios në sallë, nuk ka asnjë fakt që mund të inkriminohem në këtë çështje”, tha Salianji.
“Nuk kemi bërë videoregjistrim, por audioregjistrim. Nuk kam asnjë interes unë, përveç interesit publik. Nuk kam asnjë njohje personale me Babalen. Nuk kam njohje me Babalet, as me Alfred Alizotin që ka prova që paguhet nga famozi Ard Veliu dhe Andon Marko. Të gjithë këto personazhe të përfshirë për të montuar politikisht një çështje për të më goditur politikisht si përfaqësues i opozitës, u demontuan“, tha Salianji.
Salianji në fund të prononcimit, theksoi para mediave se nuk ka konsumuar asnjë vepër penale. Deputetin Salianji në Gjykatën e Apelit e shoqëruan të paktën 15 deputetë të Partisë Demokratike.