Vendimi i Gjykatës së Hagës / Vlora Citaku: Kosova nuk ka luksin të presë, duhet të reagojë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kërkuar një reagim të shpejtë nga shteti dhe institucionet e Kosovës.
Përmes një reagimi në Facebook, Çitaku ka deklaruar se Kosova nuk mund të qëndrojë pasive dhe të presë që koha të zgjidhë situatën, pasi sipas saj, vendimi lidhet drejtpërdrejt me historinë e vendit. “Një vendim që, në bindjen time, duket sikur ishte shkruar para se gjykimi të përfundonte. Një vendim që e ka shpërfillur pothuajse në tërësi punën e mbrojtjes”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka kundërshtuar mënyrën se si, sipas saj, është trajtuar gjatë procesit puna e mbrojtjes, duke përmendur edhe dëshmitë e ish-komandantit të NATO-s, Wesley Clark, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, si dhe dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes.
Çitaku e ka cilësuar vendimin si “verdikt drakonik” dhe ka theksuar se ai, sipas saj, ka shkuar edhe përtej asaj që kishte kërkuar Prokuroria.“Prandaj tani nuk kemi luksin të rrimë e të presim që koha t’i rregullojë gjërat vetë”, ka deklaruar deputetja e PDK-së, duke kërkuar reagim institucional pas vendimit. Gjykata Speciale në Hagë dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vite burgim, Kadri Veselin me 18 vite dhe Rexhep Selimin me 13 vite burgim.
Katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë për vepra që lidhen me krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.