E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i Hagës, konfirmim i luftës së pastër të UÇK-së

Duke i shprehur, Ramush Haradinaj urimet më të përzemërta për lirimin e tij e të bashkëluftëtarëve, kryetari Krasniqi e konsideroi vendimin e Gjykatës së Hagës fitore të drejtësisë dhe konfirmim të luftës së drejtë e të pastër të UÇK-së

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot në takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili dje u shpall i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe u lirua nga paraburgimi.

“Duke i shprehur Haradinaj urimet më te përzemërta për lirimin e tij e të bashkëluftëtarëve, kryetari Krasniqi e konsideroi vendimin e Gjykatës së Hagës fitore të drejtësisë dhe konfirmim të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media.

Kryetari i AAK-së, Haradinaj, duke e falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për pritjen dhe organizimin e seancës së sotme solemne, tha se ndihet i nderuar që do t’i drejtohet me një fjalë Kuvendit të Kosovës.

Ai u interesua për zhvillimet në Kuvend dhe ecurinë e punës së tij.

Kryeparlamentari Krasniqi e njoftoi kreun e AAK-së me punën dhe të arriturat e legjislativit të vendit, konform funksioneve kushtetuese të tij.

“Jemi përpjekur që shtëpinë e demokracisë t’ua japim të gjithëve, sepse të gjithë kanë hise në të”, u shpreh kryetari i Kuvendit. /Kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›