E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohet ODIHR, Stonestreet: Përmbajuni ligjit

Një ditë përpara largimit nga Shqipëri, amerikani Jonathan Stonestreet zhvilloi një takim përmbyllës me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Kreu i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet administrative të 8 Majit në Shqipëri deklaroi dje se çdo institucion duhet t’i përmbahet parimit të shtetit të së drejtës. Një ditë përpara largimit nga Shqipëri, amerikani Jonathan Stonestreet zhvilloi një takim përmbyllës me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. I pyetur për fletët e kontestuara dhe zhvillimet post-zgjedhore në Shqipëri, Stonestreet u shpreh se ai nuk e ka prekur aspak këtë çështje në bisedën e bërë dhe se nuk mund të bëjë interpretime të ligjit për sa u takon këtyre kutive. “Nuk diskutuam për procesin që po vazhdon. Ky takim u përqendrua në të ardhmen e të gjithë procesit elektoral. Unë nuk dëshiroj të interpretoj atë që thotë ligji, por një parim i rëndësishëm që duhet të ndiqet është ai i shtetit të së drejtës dhe të vihet në zbatim ajo që çfarë thotë ligji”, theksoi Stonestreet. Në takimin mes misionit vëzhgues dhe shtatë anëtarëve të institucionit kyç në menaxhimin e proceseve zgjedhore u bisedua edhe në lidhje me raportin e pritshëm final dhe sfidat me të cilat ndeshet procesi elektoral në të ardhmen. “Tema e bisedës që ne patëm kishte të bënte me rekomandimet që ne do të hartojmë, të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e procesit elektoral. Siç edhe mund ta dini, pas dy muajve nga mbyllja e procesit ODIHR do të japë raportin përfundimtar së bashku me rekomandimet. Padyshim pikëpamja e KQZ-së është me shumë rëndësi në këtë proces, pasi çdo proces në veçanti, për sa i përket anës ligjore, nuk duhet të ketë vetëm sugjerimet e partive politike. Gjithashtu edhe të atyre që merren me administrimin e zgjedhjeve, përfshi shoqërinë civile dhe të tjerëve që janë të interesuar në proces”, nënvizoi Stonestreet në prononcimin për mediat. Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it largohet sot nga Shqipëria dhe në Tiranë do të qëndrojnë vetëm dy ekspertë, të cilët do të monitorojnë fazën e mbetur deri në shpalljen e rezultatit final të zgjedhjeve të 8 Majit, duke përfshirë edhe etapën e ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›