E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i Kuvendit Mbarekombetar te Njesive Vendore Shqiptare

Kuvendi Mbarëkombëtar i Njësive Vendore Shqiptare, i cili përbëhet nga të zgjedhurit  vendorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia,  Mali i zi e Presheva ka reaguar ashpër ndaj heqjes nga forcat policore serbe të përmendores së Luftëtarëve për Lirinë e Preshevës. 

Në një deklaratë për shtyp Kuvendi Mbarëkombëtar i Njësive Vendore Shqiptare e konsideron këtë akt, në kundërshtim të hapur me parimet e lirisë dhe të demokracisë, dhe një sinjal negativ për bashkëjetesën dhe fqinjësinë e mirë, sikundër deklaron se do të financojë rindërtimin e përmendores së Luftëtarëve të Lirisë në Preshevë.
  
Deklarata e KMNVSH-së
 
“Kuvendi Mbarëkombëtar i Njësive Vendore Shqiptare (KMNVSH) dënon me ashpërsi shkatërrimin e dhunshëm nga autoritetet serbe, të përmendores së luftëtarëve të lirisë në sheshin e Preshevës.
 
Kuvendi  e konsideron këtë akt, në kundërshtim të hapur me parimet e lirisë dhe të demokracisë dhe një sinjal negativ për bashkëjetesën dhe fqinjësinë e mirë.
 
Kuvendi Mbarëkombëtar i Njësive Vendore Shqiptare shpreh mbështetjen e plotë për Kuvendin Komunal të Preshevës, për Kryetarin e Komunës, Ragmi Mustafa, si dhe për të gjithë të zgjedhurit vendorë shqiptarë në Luginën e Preshevës.
 
Kuvendi Mbarëkombëtar i Njësive Vendore Shqiptare i siguron shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe autoritetet lokale për mbështetjen dhe solidarizimin e plotë me ta.
 
Si një kontribut për të ardhmen, lirinë dhe bashkëjetesën e mirë në rajon, Kuvendi Mbarëkombëtar i Njësive Vendore Shqiptare ka vendosur të financojë rindërtimin e përmendores së Luftëtarëve të Lirisë në Preshevë.
 
Kuvendi Mbarëkombëtar i të Zgjedhurve Vendorë Shqiptarë i bën thirrje Këshillit të Evropës, OSBE-së, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që të ndërhyjnë për të kontribuar në zgjidhjen e situatës  së ndere dhe për të parandaluar më tej shprehjet e vazhdueshme të kërcënimit dhe presioneve ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›