Vendimi i Kuvendit për të shkarkuar Presidentin Meta, hapat në Gjykatën Kushtetuese

Vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta, zhvendos të gjithë vëmendjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të vendosë përfundimisht për fatin e kreut të shtetit. Brenda 5 ditëve, Kuvendi i Shqipërisë duhet të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e Presidentit. Më pas, Kushtetuesja, një kopje të vendimit, bashkë me provat përkatëse, I’a dërgon Presidentit, i cili ka të drejtë të japë me shkrim sqarimet dhe prapësimet që i çmon të nevojshme. Më tej, Gjykata Kushtetuese vendos ose jo për kalimin e çështjes në seancë plenare, me shumicën e anëtarëve të saj, konkretisht me jo më pak se 5 vota.
Më pas, Gjykata Kushtetuese zhvillon një seancë publike për shqyrtimi e vendimit të shkarkimit të Presidentit. Për të mbledhur në seancë duhet që të marrin pjesë jo më pak se 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nga 9 anëtarë që ka në total. Në seancën plenare ftohet Presidenti dhe përfaqësues të Kuvendit, për të paraqitur pretendimet. Mungesa në seancën plenare e Presidentit ose e përfaqësuesit të tij pa arsye, nuk përbën shkak për moszhvillimin e gjykimit. Pas seancës plenare, kur Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.
Kur Gjykata Kushtetuese nuk arrin në përfundimin se Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën, vendos shfuqizimin e vendimit të Kuvendit. Në të dy rastet vendimi hyn në fuqi sapo të shpallet dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese është e detyruar që të shprehet për shkarkimin ose jo të Ilir Metës brenda një afati prej 3 muajsh nga koha kur Kuvendi i dërgon vendimin e shkarkimit.