E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i Papandreut për referendum trondit botën

ATHINE- Vendimi që shpalli kryeministri Papandreu gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PASOK, sipas të cilit marrëveshja e arritur në samitin e BE mbi borxhin grek, do t’i kalojë për gjykim popullit grek, përpara se të zbatohet në praktikë, shkaktoi një seri reagimesh në vend por edhe jashtë tij.
Surpriza e Kryeministrit për një referendum mbi marrëveshjen e kredisë të re me treshen dhe reagimet e para zyrtare tregojnë se në thelb çështja do të jetë përfshirja ose jo e vendit në eurozonë shkruajnë sot mediat e huaja. Në këtë gjatësi vale ishin edhe deklaratat e ministrit finlandez Aleksandër Stub sipas të cilit “nëse Greqia voton kundër këtyre reformave, atëherë është ajo që ka shkelur marrëveshjen".
Kryeministri Papandreu deklaroi mbrëmë se qeveria e tij besonte në gjykimin e popullit grek dhe se urdhri i tij do të ishte detyrues.
Për më tepër, Kryeministri do të kërkojë një votë besimi për qeverinë në parlament, duke thënë se "më shumë se kurrë, është e nevojshme dhe shprehja e besimit tek qeveria."
Debati për votën e besimit ndaj qeverisë në Parlament, do të fillojë të mërkurën dhe do të përfundojë të premten në mesnatë me votimin. Mbështetja e Parlamentit për qeverinë nënkupton votën e shumicës absolute e deputetëve të pranishëm, që nuk mund të jenë më pak se 120.
Ndërkaq thuhet se referendumi popullor për marrëveshjen e BE do të zhvillohet në muajin janar të vitit 2012 dhe ndoshta në datën 15 të tij.
Zhvillimi i referendumit duhet të miratohet nga mbi 180 deputetë në Parlament dhe në të duhet të marrin pjesë 50% të qytetarëve.
Vendimi i Papandreut për një referendum mbarëpopullor, erdhi pas reagimeve kundërshtuese të opinionit vendas mbi marrëveshjen e Bashkimit Europian për shkurtimin e borxhin grek, i cili vlerësohet si humbje e sovranitetit të Greqisë.
Nga ana tjetër Papandreu është përballur me mospajtime edhe brenda partisë së tij lidhur me impaktin e masave ekonomike.
Disa analistë thonë se një referendum mund të prishë marrëveshje të gjerë mbi krizën e borxheve në euro e disa të tjerë se rrëzimi i marrëveshjes së kredisë, do të thotë dalje e Greqisë nga Euro dhe tronditje e mëdha për Eurozonën. Sipas “Nju Jork Times”, vendimi i ministrit grek rrezikon të ardhmen e tij politike dhe mund të dëmtojë përpjekjet ndërkombëtare për të shpëtuar euron.
Kryeministri grek ka trondirtur botën shkruan “Wall street journal” ndërsa të rrezikshëm e konsiderojnë vendimine tij shtypi gjerman dhe austriak.

Keq është pritur edhe nga opozita vendase vendimi në fjalë. Zgjedhjet e parakohshme janë kërkesa e gjithë partive të opozitës greke. Kreu i partisë së opozitës Demokracia e re, Antinos Samaras e quajti të rrezikshëm vendimin për referendum dhe beson se zgjidhja e "bllokimit", janë zgjedhjet dhe rinegocimi i mëvonshëm i politikës ekonomike.
"Zgjedhje kërkoi edhe Partia Komuniste pas deklaratës së Papandreut, duke e cilësuar vendimin si një shantazh ndaj popullit. Kryetari i LAOS i bëri thirrje Papandreut të "guxojë" e të kërkojë votim të fshehtë. "Mashtrim i qeverisë për të fituar kohë në pushtet" e përshkroi vendimin kryetari i Grupit Parlamentar të SYRIZA, ndërsa Aleanca Demokratike ka argumentuar se "edhe një herë, zoti Papandreu ka zgjedhur të fusë vendin në një aventurë e madhe për të shpëtuar të ardhmen e tij dhe PASOK-un."
Megjithatë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar Papandreu refuzoi zgjedhjet e parakohshme dhe skenarët e bashkëjetesës, duke thënë se "ne do të gjykohemi në fund të katër viteve dhe nuk mund të heqim dorë nga lufta".

BE ende nuk ka një qëndrim zyrtar mbi vendimet më të reja të kryeministrit grek. "Nuk ka komente për këtë çështje. Ne jemi në kontakt dhe të presim njoftimin zyrtar nga autoritetet greke”, tha përfaqësuesi i Bashkimit Evropian Carolina Kotova, kur u pyet për vendimin e shpallur nga Kryeministri Papandreu në mbledhjen e PASOK.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›