E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i qeverisë për foton, opozita: Antikushtetues. Meta: Simbol bashkimi

TIRANE -Vendimi i qeverisë për ndërrimin e fotos së Presidentit Bujar Nishani me atë të Ismail Qemalit është pritur me kritika nga ana e opozitës. Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe ish-zv/ministri i Punëve të Jashtme kanë reaguar mbi vendimet e qeverisë. Halimi u fokusua tek të 3 vendimet që qeveria miratoi dje, ndërsa Çollaku tek vendimi për foton. Por kryeparlamentari Ilir Meta ka mbrojtur vendimin e qeverisë duke argumentuar dhe arsyet.

Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi i cilëson si antikushtetuese vendimet e para të qeverisë së re. Sipas Halimit, qeveria e re nuk kishte përcaktuar as rendin e ditës dhe i miratoi vendimet pa i shqyrtuar fillimisht ato.

“Ligji përcakton se rendi i ditës miratohet dy ditë përpara. Vendimi fillimisht propozohet, pastaj shqyrtohet. Rama, përsëritës i shkeljes së kushtetutës”,- shprehet Halimi.

Në mbledhjen e parë të qeverisë së tij, Edi Rama mori tri vendime, dy prej të cilave i kishte premtuar që gjatë fushatës zgjedhore. Qeveria vendosi ndalimin e importit të plehrave dhe miratoi heqjen e portretit të presidentit nga institucionet shtetërore dhe zëvendësimin e tij me portretin e Ismail Qemalit.

Përmes një njoftimi të shkurtër, të publikuar në faqen e re të Këshillit të Ministrave, njoftohen tri vendimet. “Zëvendësimin e portretit të Presidentit të Republikës në ceremonialin zyrtar me portretin e themeluesit të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemalit”, thuhet në njoftim. Me këtë vendim është ndërhyrë në Ligjin për Protokollin e Shtetit, ku përcaktohet përdorimi i portretit të Presidentit të Republikës. Kapitulli “Flamuri Kombëtar” i Protokollit të Shtetit.

Një tjetër vendim i pritshëm ishte dhe miratimi i Kodit Etik Ministror, për të cilin Rama është shprehur se është i standardeve të vendeve të njohura demokratike. 

Ish-zv/ministri Collaku
Ish-zv/ministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Çollaku ka reaguar ashpër mbi vendimin e qeverisë ‘Rama’ për zëvëndësimin e fotos së Presidentit me atë të Ismail Qemalit.
Sipas Çollakut, fotoja e Presidentit në institucionet zyrtare ka simbolikë vendin që dëshmohet se është një Republikë dhe se me këtë vendim qeveria cënoi këtë simbolikë.

“Jam krejt i shokuar nga akti i heqjes se foto se presidentit të Republikes. Jam i shokuar dhe i zhgënjyer nga niveli i vulgaritetit të këtij akti. Shteti serioz është formë serioze. Në çdo protokoll të çdo shteti nga ato me të qytetëruar e zhvilluar e deri të ato në një hap me tej se shtetet tribale, fotografia e kreut të shtetit, presidentit, nuk mungon. Nuk mungon se ajo nuk është foto panoramike, por ka një simbolikë që në çdo Republikë është në themel. Presidenti përfaqëson unitetin e kombit. Duke hequr foton e presidentit Rama ka cënuar pikërisht këtë simbolikë.
Si kundërshtar politik me të do të kisha pritur e mirëpritur shumë akte. Por jam thellë i zhgënjyer në kufij revolte, nga Rama e disa ministra pranë tij, të cilët sidoqoftë për faktin se të dalë nëpër botë, do shfaqeshin më të emancipuar. Në fakt ndodhi e kundërta”, shkruan Çollaku në rrjetin social, "Facebook".

Sipas ish/zëvëndësministrit, mazhoranca po kthen kohën e Koçi Xoxes.
“Me këtë akt prej vandalësh na dhanë shenjën e hidhur se fjalët nga veprat janë larg. Dhe shkollat, kurset, vitet e jetuara jashtë nuk kane arritur te mundin te keta njerez instiktin e eger te nje ideologjie qe e shpallin te vdekur por te ciles besnikerisht i ruajne e ndjekin ritet....ky kthim i vrullshem pas në vitet e Koçi Xoxes është i papranueshem e duhet ndalur me çdo kusht e çmim...Vandale të tillë janë të padenjë për gjeneratën e re te shqiptarëve. Këta meritojnë vend në arkivat e shëmtuara të vesit e primitivitetit njerëzor”.

Meta: Ismail Qemali, simbol bashkimi
Kryeparlamentari Ilir Meta u shpreh sot mbi vendimin e qeverisë për zëvëndësimin e fotos së Presidentit me atë të Ismail Qemalit.

Në një prononcim për mediat, i pyetur sesi e vlerëson vendosjen e fotografisë së Ismail Qemait në institucionet zyrtare, Meta e konsideroi një mesazh bashkimi.

"Fakti që do të jetë një figurë themeluese e shtetit shqiptar, siç është figura e Ismail Qemalit, i cili është një mesazh bashkimi. Mendoj se të gjithë duhet ti mbajmë të gjalla idealet e Konferencës së Pezës, patriotëve shqiptar, komunistëve, nacionalistëve të asaj kohe të cilët kapërcyen diferencat e tyre në emër të interesit të madh, të lirisë së atdheut dhe progresit shoqëror", deklaroi Kryeparlamentari pasi mori pjesë sot në festimet e 71 -vjetorit të Konferencës së Pezës.

(d.b/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera PD thirrje Ramës: Hiq dorë nga ‘Kodi i Heshtjes’, detyrim i qeverisë transparenca

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›