Vendimi i ri, norma e ushqimit për oficerët
Ndryshon masa financiare për kompensimin e ushtarakëve. Përcaktohet norma e re ushqimore
TIRANË- Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura, si oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë, të emëruar me detyrë jashtë vendbanimit të tyre të përhershëm do të kompensohen për ushqimin ditor për tre vakte sipas normës që trajtohen edhe ushtarët e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe studentët e universitetit ushtarak "Skënderbej". Qeveria ka korrigjuar dje vendimin e saj të mëparshëm të janarit të vitit 2008, duke përcaktuar tashmë si masë financiare për kompensimin e kësaj kategorie ushtarakësh jo sipas normës ushqimore të përcaktuar që në vitin 1975, por sipas normave të vendosura në vitin 2004. Kështu sipas këtyre normave rezulton se kjo kategori do të trajtohet tashmë me racionin bazë të ushqimit, i cili përmban 4 300 kalori, dhe me strukturë ushqimore, sipas lidhjeve të strukturuara të produkteve ushqimore të përcaktuar në ligj. Me normën e mëparshme vlera e kompensimit në vlerë leku për një vakt për kuadrot e sipërcituar ka qenë vetëm 224 lekë në ditë. Ndërsa me normën e re vlera e kompensimit është llogaritur që të jetë afro 274 lekë. Pra diferenca midis dy normave të kompensimit me korrigjimin e bërë nga Këshilli i Ministrave është vetëm 50 lekë të reja për person në ditë. Ushtaraku i emëruar jashtë vendbanimit, i cili nuk e ka ndryshuar vendbanimin familjar, pasi nuk ka pasur mundësi strehimi, dhe nuk përfiton kompensim për qira banese, gëzon te drejtën e kompensimit në vlere për ushqim, për tre vakte, duke përfshirë 21 artikuj ushqimorë, si bukë, mish, vaj, djathë, qumësht, çaj, fruta etj. Gjithashtu nga rregullimi bërë nëpërmjet vendimit të djeshëm të qeverisë do të përfitojnë edhe kuadrot e tjerë ushtarakë të shërbimit aktiv që janë emëruar me detyrë afër vendbanimeve të tyre. Kjo kategori do të përfitojë trajtim financiar si kompensim vetëm për vaktin e drekës. Kështu ushtarakët e emëruar në repartet pranë vendbanimeve të tyre, do të kompensohen vetëm për vaktin e drekës me vlerën e racionit të përbërë nga 11 artikuj ushqimor. Pasqyrimi i këtyre ndryshimeve në legjislacionin përkatës ushtarak do të ketë një vlerë financiare prej 95 milionë lekësh në vit. Sipas vendimit të djeshëm kjo shumë do të përballohet nga buxheti i shtetit i vitit 2008, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërkohë në vendim përcaktohet gjithashtu se zbatimi i këtij ndryshimi do t’i shtrijë efektet financiare që nga data 17 shkurt i vitit 2008, kur dhe ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë “Për miratimin e normave të trajtimit me ushqim të efektivave ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”
Ushtaraku aktiv i Forcave te Armatosura, oficer, nënoficer dhe ushtar profesionist, të emëruar jashtë vendbanimit dhe nuk përfiton kompensim për qira banese, gëzon të drejtën e kompensimit në vlerë për ushqim për këto artikuj:
1. Bukë gruri masive gr 600 1603
2. Oriz gr 60 218
3. Makarona gr 50 184
4. Fasule gr 60 186
5. Mish viçi i freskët gr 200 320
6. Vaj për gatim ml 30 270
7. Vaj për sallatë ml 10 90
8. Gjalpë gr 30 235
9. Sheqer gr 50 196
10. Sallam ose proshutë gr 50 231
11. Djathë i bardhë gr 40 123
12. Qumësht i freskët ml 300 183
13. Vezë kokrra 1 79
14. Perime për gatim gr 350 130
15. Perime për sallatë gr 150 60
16. Fruta të freskëta gr 250 125
17. Reçel gr 30 67
18. Salcë gr 3 0
19. Çaj mali gr 1 0
20. Kripë gr 10 0
21. Erëza gr 1 0
Shuma 4300
Ushtaraket e tjerë te shërbimit aktiv gëzojnë te drejtën e kompensimit në vlerë për ushqim vetëm për vaktin e drekës, sipas listës:
1. Bukë gruri masive gr 200 534
2. Oriz gr 50 183
3. Makarona gr 50 183
4. Mish viçi i freskët gr 120 192
5. Vaj për gatim ml 15 135
6. Vaj për sallatë ml 10 90
7. Gjalpë gr 10 75.8
8. Vezë kokrra 1/2 39
9. Perime për gatim gr 200 114
10. Perime për sallatë gr 150 85
11. Fruta të freskëta gr 200 108