E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëkatet e gjyqtarëve

 

Çfarë kanë bërë anëtarët e propozuar nga presidenti Bamir Topi, që nuk po arrijnë të marrin pëlqimin e deputetëve të PD-së për t’u bërë gjyqtarë të Gjykatës së Lartë? “Spiuni” bisedoi me deputetë të PD-së dhe ata i thanë se Topalli dhe pas saj Doktori kanë të drejtë, sepse ata janë figura të brumosura me ideologjinë e të majtës. Po pse ti je i djathtë?-e pyeti “Spiuni” deputetin e PD-së që dikur ishte instruktori i Partisë së Punës. Ai nuk ktheu përgjigje.

Dje në adresë të “Spiunit” erdhi një letër e bashkëpunëtores Majlinda Muça, e cila, se i di se cilat janë mëkatet e pesë gjyqtarëve që duan të hyjnë te Gjykata e Lartë:

“I dashur Spiun simpatik-shkruan ajo-unë e di se pse po vonohen dekretet e presidentit.

Pas kërkesës së Kryetares së Parlamentit për biografinë e pesë gjyqtarëve, të gjithë inspektorët e lagjeve të Tiranës kanë hartuar raportin përfundimtar. Ai pritet t'i dorëzohet në dorë Kryetares së Parlamentit, zonjës Jozefina Topalli, për t'u marrë në shqyrtim. Burime nga inspektorët e lagjeve thanë se janë zbuluar se pesë gjyqtarët kanë bërë këto mëkate në jetën e tyre: Gjyqtari i parë, në vitin 1984 ka propozuar një gocë sipas stilit të vjetër, duke i thënë "Më fal një minutë". Gjyqtari i dytë, në vitin 1987 ka parë ndeshjen Partizani-Dinamo në stadium pa biletë. Gjyqtari i tretë, në vitin 1988 ka qëndruar për një natë në tarracën e pallatit për të rregulluar antenën. Nuk i kapte "Elektric blu". Gjyqtari i katërt ka pasur një xhaxha me Ballin dhe një tjetër që ka qenë partizan në 1945-n. Gjyqtari i pestë ka ndjekur demonstratat e studentëve në dhjetorin 1990 nga ballkoni i shtëpisë. Të gjitha informacionet e mësipërme janë klasifikuar "Top-Sekret" dhe i janë dërguar Parlamentit për t'u votuar. Nuk dihet ende nëse Parlamenti do t'i votojë apo jo.

Shënim: Policia Pyjore ende nuk e ka sjellë raportin e saj. Shpresohet se ky institucion do të zbardhë një pjesë të mirë të ekskursioneve gjatë kohës që gjyqtarët kryenin gjimnazin”.

“Spiuni” po i vë në dispozicion të deputetëve këto mëkate që ata të dinë se si të votojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›