Vendimi oret e fundit te CEZ Shperndarje

Kompania ceke CEZ shpërndarje është në orët e fundit të veprimtarisë së saj para heqjes së licencës. Sot në orën 10:00 Enti rregullator i Energjisë do të vendosë për heqjen e të drejtave për ushtrimin e aktivitetit të saj në Shqipëri, për shpërndarjen e energjisë dhe furnizimin me pakicë të konsumatorëve.
Pritet që gjatë mbledhjes së bordit drejtues të ERE të emërohet edhe administratori i ri i përkohshëm shtetëror. Në garë për këtë post paraqiten pesë kandidatura Artan Topi, Sahit Dollapi, Genc Gjorgjani, Rezart Isufi dhe Agron Seseri. Të pesë emrat janë përzgjedhur ditën e premte më 18 janar.
Sipas rregullores brenda 10 ditëve administratori i ri që do të përzgjidhet nga ERE merr në dorëzim kompaninë dhe më pas duhet të marrë masa për përmirësimin e situatës.
Drejtori juridik i ERE Eduard Elezi shprehet për “ABC News” se me marrjen nën administrimin e përkohshëm nga ana e shtetit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji situata në vend do të ndryshojë.
Administratori i ri shtetëror do të qëndrojë në detyrë deri sa licenca t’i jepet një kompanie tjetër, e cila do të fitojë tenderin për të vazhduar këtë veprimtari.