E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi per nenshtetesine greke rrezikon femijet e emigranteve

Fëmijët e emigrantëve shqiptarë që kishin marrë para dy vjetësh nënshtetësinë greke, tashmë rrezikojnë ta humbasin atë, pasi dispozitat për dhënien e kësaj nënshtetësie janë shpallur edhe zyrtarisht si antikushtetuese. Vendimi është shpallur zyrtarisht vetëm sot dhe juristët vlerësojnë se gjithë aktet e kryera në bazë të ligjit të vitit 2010, do të anullohen. Këshilli i Lartë i shtetit, ndryshe gjykata e lartë administrative, ka argumentuar se dispozitat në fjalë bien ndesh me kushtetutën e vendit, pasi natyralizimi i sanksionuar në vitin 2010, bëhet vetëm me kritere formale, pa u marrë në konsideratë lidhjet e gjakut me kombin grek, te të interesuarit. Në një reagim të parë, ndaj zyrtarizimit të vendimit, burime të ministrisë së brendshme citohen nga shtypi grek të kenë thënë se dispozitat për dhënien e nënshtetësisë do të bëhen më të rrepta. Por ky sugjerim, sipas ish ministrit të brendshëm grek, Janis Ragusis, do të thotë që këta fëmijë, për 18 vitet e para të jetës së tyre do të ndodhen peng i partisë neonaziste Agimi i Artë. Kryeministri Samaras ka udhëzuar të mërkurën paradite zëvendësministrin e brendshëm që të përgatisë një projektligj të ri, konform vendimit të gjykatës administrative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›