Zgjedhjet e 14 majit, Berisha: Koalicioni, mënyra më e mirë për t’u regjistruar

Sikurse edhe në zgjedhjet e pjesshme vendore, Sali Berisha duket se do të përdorë po koalicionin me Partinë e Lirisë për t’u regjistruar edhe në garën elektorale të 14 majit. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Kryesisë, Berisha tha se propozimet që u diskutuan janë regjistrimi si kandidatë të pavarur ose koalicion, teksa theksoi se kjo e fundit ka më shumë mbështetës.
“Propozime janë koalicioni, ose të pavarur, por kjo nuk shkon shumë, ka pak mbështetës. Megjithatë do të merret vendim nga Këshilli Kombëtar i PD”, u shpreh Berisha.
Diskutimet vijnë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që riktheu çështjen e vulës së PD-së në gjykatën e shkallës së parë. Kujtojmë se Berisha ka firmosur një marrëveshje me kreun e PL-së, Ilir Meta, ndërsa janë dakordësuar që të kandidojnë me kandidatë të përbashkët, që kanë dalë nga procesi i Primareve, organizuar nga Rithemelimi.
/rtsh.al/