E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Tani po bie Muri i Hekurt

Kryeministri i Shqiperise premton se vendi i tij do te luftoje kunder çdo keqperdorimi te lirise se vizave per vendet Shengen. Per te nje bashkim me Kosoven nuk behet fjale

Para 20 viteve filloi rrëzimi i regjimit komunist, por vendi juaj është akoma sot një shqetësim për bashkësinë ndërkombëtare. Çfarë bilanci mund të bëni?

Para 20 viteve Shqipëria ishte vendi i tretë më i varfër në botë; atëherë ne ishim para kolapsit, papunësia ishte në 80%, të ardhurat për frymë ishin 200 $. Ato pak turistë që vizitonin Tiranën gjatë regjimit komunist, qetheshin në aeroportin e Tiranës konform ideologjisë. Këtë kohë të errët e kemi lënë tashmë prapa. Këtë vit, 3,5 milionë turistë kanë kaluar pushimet në Shqipëri. Ne kemi shënuar një rritje të eksportit prej 60%. Gati gjysma e 3,2 milionë banorëve të Shqipërisë kanë një lidhje interneti - para 5 viteve, kur Partia Demokratike mori pushtetin, ky numër ishte vetëm 5%. Para dy dekadave Shqipëria ishte një gulag në Mesdhe, sot vendi ynë është anëtar i NATO-s.

Me gjithë këto përparime, BE i ka refuzuar Shqipërisë statusin e kandidatit. Kritikat nga Brukseli janë të rënda: institucionet demokratike pothuajse nuk funksionojnë, drejtësia nuk është e pavarur.

Puna në Parlament ishte për disa muaj e bllokuar, sepse opozita socialiste nuk do të pranojë humbjen e saj në zgjedhjet e vitit të kaluar. Por është fakt se zgjedhjet e fundit parlamentare ishin më të lirat në Shqipëri që prej rënies së komunizmit. Ky është edhe mendimi i vëzhguesve ndërkombëtarë. Në progres-raportet më të fundit BE-ja ka vlerësuar luftën tonë kundër korrupsionit dhe forcimin e drejtësisë. Por në këtë fushë mbetet akoma shumë për t’u bërë. Ne e marrim kritikën nga Brukseli seriozisht. Në të njëjtën kohë BE-ja ka shpërblyer mundimet tona në reforma: Duke filluar nga dhjetori, shtetasit tanë mund të udhëtojnë pa viza në vendet Shengen. Vetëm tani Shqipëria po përjeton rënien e Perdes së Hekurt.

Para së gjithash, vendet e mëdha të BE-së kanë miratuar heqjen e vizave paksa kundër dëshirës. Frika nga keqpërdorimet është e madhe. A kërcënohet tani Evropa nga një dyndje e shqiptarëve?

Jo. Kanë kaluar ato kohë kur njerëzit e vendit tim zaptonin anije të ndryshkura për të arritur në Itali. Qeveria ime ka siguruar të gjitha qeveritë e vendeve Shengen se çdo keqpërdorim do të luftohet në mënyrë konsekuente. Ndërkohë, po zhvillohet anembanë vendit një fushatë informimi për heqjen e vizave. Që prej vitit 2006 ndalohet qarkullimi me skafe të shpejta në ujërat tona. Kjo masë është akoma në fuqi. Para këtij ndalimi trafikantët e qenieve njerëzore kanë shkaktuar vdekjen e afro 400 personave. Pas vendimit nuk numërohet asnjë viktimë.

Nga pikëpamja e politikës së jashtme, Shqipëria ndodhet para sfidave të reja. Në Beograd po shtohen zërat që kërkojnë një ndarje të Kosovës. Nisur nga gjendja atje shumë shqiptarë të Kosovës janë për një bashkim me Shqipërinë. A i mbështet vendi juaj të tilla përpjekje?

Jo. Qëndrimi i Shqipërisë është i qartë: Me pavarësinë e Kosovës kufijtë në Ballkan janë formësuar përfundimisht. Shumica e shqiptarëve në rajon është për integrimin në BE. Ne do të bashkohemi në kuadrin e bashkësisë së vlerave evropiane. Por për këtë nuk nevojiten ndryshimet e kufijve. Unë kam lindur pranë kufirit me Kosovën dhe për një kohë të gjatë kam besuar në idenë e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në Ballkan. Sot them: Ne duhet të bashkëpunojmë ngushtë me fqinjët tanë, me qëllim që kufijtë ta humbasin rëndësinë dhe njerëzit të mund të lëvizin lirisht.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, mbështet një kompromis historik mes serbëve dhe shqiptarëve. Në qarqet diplomatike kjo interpretohet si mbështetje e ndarjes së Kosovës.

Ne duam që më në fund marrëdhëniet me Serbinë, që historikisht kanë qenë të rënduara, t’i përmirësojmë. Së shpejti pres Presidentin Tadiç në Tiranë, që do të jetë vizita e parë e një politikani të rangut të lartë nga Beogradi këtu. Por ndryshimet e kufijve nuk do të jenë temë e bisedës. Kush mendon se me bashkimin e një pjese të Kosovës me Shqipërinë çështja shqiptare do të zgjidhej, ai gabohet rëndë ose do që të ndezë konflikte. Grupe të popullsisë shqiptare jetojnë në Serbinë Jugore, në Maqedoni dhe në Malin e Zi. Veçanërisht qeveria maqedonase duhet t’i trajtojë shqiptarët si shtetas me të drejta të barabarta. Krijimi i kufijve të rinj do të na largonte nga Evropa dhe do të duhej të varrosnim ambiciet tona për BE për 20 vitet e ardhshme.

Qeveria juaj po ndërton rrugë të reja, që mundësojnë një komunikacion më të mirë të shqiptarëve në Ballkan. A mundet që edhe kështu të krijohet një Shqipëri e Madhe?

Me autostradën e re nga Porti i Durrësit deri në kufirin me Kosovën duam që të mbështesim zhvillimin ekonomik të tërë rajonit. Një ditë edhe ekonomia serbe do të përfitojë nga kjo gjë.

Përktheu: Etrit Bekteshi/ Tages Anzeiger

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›