E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Renditja nuk e zëvendëson akreditimin

Interviste me drejtorin e Zhvillimit te Arsimit Privat, Arjan Shahini Programet e studimit, Shahini: Renditja nuk e zevendeson akreditimin

Drejtori i Zhvillimit të Arsimit Privat flet në lidhje me vendimin e fundit të senatit të Universitetit të Tiranës për renditjen e universiteteve. Sipas z. Shahini, renditja do të jetë proces i ndarë nga akreditimi dhe, sipas tij, “renditja nuk do ta zëvendësojë akreditimin, por do ta ndihmojë dhe përshpejtojë atë, sepse, përveç informimit të studentëve dhe punëdhënësve, ajo siguron një bazë të plotë të dhënash dhe, ajo që është më e rëndësishme, ekspertizë ose kapacitete profesionale në APAAL dhe KA”.

Në tetor qeveria shqiptare kontraktoi një kompani ndërkombëtare private për të ekzekutuar renditjen e institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri. Tanimë që procesi i renditjes ka nisur, Universiteti i Tiranës ka deklaruar me anë të një vendimi të senatit akademik se akreditimi i institucioneve duhet t’i paraprijë renditjes. Ju jeni një prej pjesëtarëve të grupit të mbikëqyrjes së kontratës së kësaj kompanie. Cili është qëndrimi juaj ndaj këtyre pretendimeve?

Gjatë procesit të kontraktimit dhe të hartimit të termave të referencës janë ndërmarrë konsulta të përbashkëta me akademikë të ndryshëm të vendit dhe konsulentët ndërkombëtarë. Unë dhe kolegët e mi jemi përpjekur ta bëjmë këtë proces sa më të tejdukshëm që është e mundur. Synimi ynë ishte të gjenim një model renditjeje që i përshtatej kontekstit të Shqipërisë, shumëdimensional në treguesit e matshëm dhe në përputhje me modelin e miratuar nga një projekt pilot i Bashkimit Evropian për renditjen e 150 universiteteve nëpër botë. Modeli evropian do të shërbejë më pas si bazë për renditjen e të gjitha universiteteve të Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë. Për këtë u kontraktua, e shpallur fituese e tenderit ndërkombëtar, një kompani gjermane e afiliuar me Konferencën e Rektorëve në Gjermani, me përvojë disa vjeçare dhe anëtare e konsorciumit të programit pilot të Bashkimit Evropian. Nëse dëshirojmë të bëhemi pjesë e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë do të ishte mirë të vepronim me instrumentet e tyre matëse së cilësisë. Unë e përgëzoj faktin që debati po zhvillohet në publik, pasi publiku duhet të njihet me pozicionet e ndryshme të faktorëve ndikues në këtë proces. E rëndësishme është që të gjitha palët janë dakord për rëndësinë që ka renditja.

Renditja e institucioneve të arsimit të lartë është thjesht një listim i institucioneve apo programeve të studimit në bazë të disa treguesve përshkrues apo cilësor, objektiv dhe subjektiv. Renditja u shërben një sërë aktorëve, studentëve, institucioneve të arsimit, punëdhënësve dhe politikëbërësve. Në një treg ku ekziston asimetri e informacionit dhe arsimi përbën një investim të njëhershëm, renditja i shërben studentëve si burim informacioni dhe ndihmon në përzgjedhjen e institucionit arsimor. Për institucionet arsimore renditja shërben si një mjet marketingu, diagnostikon problemet me cilësinë nëpërmjet krahasimit dhe ndihmon në zhvillimin e strategjive të zhvillimit. Punëdhënësit informohen nëpërmjet renditjes mbi njohuritë dhe aftësitë që përçohen nëpër institucionet e arsimit. Ndërsa për politikëbërësit renditja përbën një instrument që rrit llogaridhënien e institucioneve, transparencën dhe nxit një kulturë për cilësi.

Po akreditimi?

Akreditimi nga ana tjetër është një proces krejt tjetër, që ka të bëjë me certifikimin ligjor të cilësisë, proces ky që është vërtetuar të jetë tepër i gjatë. Institucionet e arsimit të lartë duhet t’i nënshtrohen një inspektimi prej disa muajsh nga Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL) dhe kjo pasi ata kanë qëndruar në treg prej së paku 3 vjetësh. Deri më tani vetëm 14 shkolla të larta private kanë programe të akredituara nga Këshilli i Akreditimit (KA). Nëpër instancat vendimmarrëse si Këshilli i Akreditimit dhe në rolin e ekspertëve të akreditimit janë të njëjtët pedagogë dhe profesorë që japin mësim në universitetet tona publike. Procesi i akreditimit nga ekspertët tanë dhe APAAL e KA kërkon më shumë mbështetje dhe besim. Strukturat tona janë të reja, përvoja është ende e pakët në tërësi për vlerësimin dhe sigurimin e cilësisë. Por kjo nuk do të thotë që strukturat tona të mos inkurajohen për t’u konsoliduar.

Renditja do të pasohet nga akreditim, por në ç’mënyrë?

Kjo u deklarua qartë nga Kryeministri dhe nga ministri i Arsimit dhe Shkencës në konferencën ku u shpall fillimi i projektit të renditjes.

Krahas renditjes, një grup pune po punon për përgatitjen e standardeve të cilësisë që do të karakterizojnë “Pragun e Cilësisë” për shkollat tona të larta. Ajo që duhet të nënvizojë është se standardet do të diskutohen gjerësisht dhe vendosen së bashku me Konferencën e Rektorëve, pra komunitetin tonë akademik, dhe Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Standardet duhet të jenë realiste për sistemin tonë të arsimit të lartë dhe nxitëse për rritjen e cilësisë drejt standardeve ndërkombëtare. E them realist, sepse po të vlerësonim shkollat tona të larta me standardet e Francës, Italisë apo Gjermanisë, do të ishte krejt e gabuar, sepse kushtet janë shumë të ndryshme. Por, nga ana tjetër, standardet duhet të nxisin edhe rritjen e cilësisë, në mënyrë që, gradualisht, shkollat tona të larta publike të fillojnë të krahasohen në renditje me shkollat e larta të rajonit dhe përtej tij.

Akreditimi për standardet e cilësisë të pranuara nga komuniteti akademik do të realizohet brenda vitit 2011, sepse përbën kusht bazë për reformën e financimit të arsimit të lartë. Ky akreditim do të bëhet nga APAAL dhe KA në bashkëpunim me agjencitë e huaja ose, së paku, ekspertë të huaj në procesin e vlerësimit ose si anëtarë të Këshillit të Akreditimit.

Pra, e ritheksoj që të mos ketë asnjë keqkuptim, renditja nuk do ta zëvendësojë akreditimin, por do ta ndihmojë dhe përshpejtojë atë, sepse, përveç informimit të studentëve dhe punëdhënësve, ajo siguron një bazë të plotë të dhënash dhe, ajo që është më e rëndësishme, ekspertizë ose kapacitete profesionale në APAAL dhe KA.

Një nga kritikat e shprehura nga akademikët shqiptarë është se pyetësori për treguesit që do të shërbejë për renditjen, është i kopjuar dhe i modeluar për një kontekst joshqiptar. Cila ka qenë procedura e konsultimit me grupet e interesit dhe cili është mendimi juaj për këto kritika?

Pyetësori i treguesve që do të shërbejë për renditjen në Shqipëri nuk është formuluar ende. Kompania e renditjes ka realizuar disa takime këshillimore me aktorë të ndryshëm dhe ka shpërndarë një listë treguesish që ajo ka përdorur në vende të tjera për t’u diskutuar nga akademikët tanë. Treguesit do të gjykohen për nga relevanca e tyre me kontekstin shqiptar dhe për nga gjendshmëria, pra mundësia e marrjes së këtij informacioni. Të gjitha institucionet e arsimit të lartë janë të lutura të marrin pjesë në këtë proces dhe të dërgojnë propozimet e tyre. Mbi bazën e mendimeve dhe propozimeve që do të vinë nga shkollat tona të larta, agjencia implementuese e projektit do të përgatisë listën ose formularin me treguesit që do të përdoren në këtë projekt. Kjo listë duhet të jetë e pranuar nga shkollat tona të larta. Lista përfundimtare e treguesve do të jetë baza për hartimin e pyetësorit që do të jetë gati nga fundi i dhjetorit. Ky pyetësor do t’u dërgohet shkollave të larta që do të marrin pjesë në procesin e renditjes.

Është e vërtetë që agjencia u ka dërguar shkollave të larta një formular aplikimi ku çdo institucion i arsimit të lartë duhet të shprehet nëse do të marrë pjesë në procesin e renditjes për katër fushat e përcaktuara në këtë projekt: drejtësi, ekonomi, shkenca sociale dhe infermieri. Mendoj se kjo pyetje nuk mund të shtrohet për universitetet publike, por për shkollat e larta private. Disa prej tyre mund të vendosin që të mos i nënshtrohen procesit të renditjes, sepse janë shumë të reja apo për shkaqe të tjera. Nëse do të ketë raste të tilla, atëherë shkollat e larta do të deklarohen si të pa vlerësuara dhe të parenditura për setin e treguesve që do të shërbejnë si bazë për renditjen.

Në konferencën e shpalljes së projektit të renditjes Kryeministri Berisha u bëri thirrje shkollave të larta të bashkëpunojnë me agjencinë e huaj për të realizuar me sukses këtë proces që zhvillohet për herë të parë në historinë e zhvillimit të arsimit tonë të lartë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›