Vendosin hispanikët?

Carmen Abeyta ende e ka mbishkrimin para syve. Ai ishte i varur në një supermarket në Greeley, qytet ky i vogël në shtetin Colorado në SHBA, ku kjo bijë e imigrantëve meksikanë ka lindur dhe ka kaluar fëmijërinë e saj.
“Ju ndalohet hyrja qenve dhe meksikanëve”, ishte mbishkrimi në shenjë. Në kishë, ajo injorohej edhe nga prifti:”Latinët në bankat e fundit. Përpara ulën të bardhët”. Ndërsa një mësues në shkollë i kishte dhënë një flakaresh, ngase e kishte dëgjuar duke folur në gjuhën spanjolle me një shoqe të saj.
Kanë kaluar më shumë se 50 vjet nga ajo kohë, por kujtimet kanë filluar të zgjohen. Që një vit SHBA-ja është në fushatë zgjedhore dhe para se gjithash republikanët dhe kandidati i tyre për president, Mitt Romney, kanë marrë një qëndrim aq të ashpër kundër imigracionit ilegal, sa që njerëzit, si Abeyta sot 55 vjeçare, e ndjejnë vetën të padëshiruar. Papritmas tani flitet për obligim për “vetë-largim” dhe se hispanikët duhet t’iu përshtaten të bardhëve.
Është ky një paradoks: në këtë klimë politike, e cila në mënyrë fatale kujton racizmin e viteve të 50-ta dhe të 60-ta, 21 milionë votuesit hispanikë me të drejtë vote me votat e tyre mund të vendosin se cili do të jetë presidenti i radhës, Barack Obama apo Mitt Romney. Rreth 50 milionë hispanikë, apo rreth 15 për qind e popullatës së përgjithshme në SHBA, janë dëshmi për brishtësinë e ëndrrës amerikane.
Para disa javësh Barack Obama kishte vizituar një vend në afërsi të Colorado Springs. Ai ja kishte shtrënguar dorën Carmen Abeyta. Tani janë republikanët ata, të cilët po vizitojnë lagjet në të cilat flitet gjuha spanjolle dhe banorët e të cilave tradicionalisht votojnë për demokratët. Për të dy partitë hispanikët befas janë bërë tejet të rëndësishëm dhe gara për votat e tyre është më e ashpër se gara për cilindo grup tjetër të votuesve. Për çdo muaj numri i hispanikëve me të drejtë vote shtohet për 50 mijë dhe ky trend do të vazhdojë gjatë dy dekadave të ardhshme. Në zgjedhjet e 6 nëntorit, kandidatët do të jenë të varur nga votat e latinëve. Obamas i nevojiten, për të barazuar humbjen e mundshme të votave në mesin e votuesve të bardhë. Pra, numri i latinëve që do të votojnë jo vetëm që duhet të jetë i njëjtë si para katër viteve, por edhe dy të tretat duhet të votojnë për të. Romney vetëm mund të fitojë, nëse merr më shumë se 27 për qind të votave të hispanikëve, sa parashikojnë anketat se do të votojnë për të në nëntor.
Kryesuesja e Colorado Latino Forum (CLF) nga Denveri nuk ka lajme të mira për asnjërin nga kandidatët. Olivia Mendoza, 38 vjeç, ishte foshnje kur prindërit e saj kaluan Rio Granden, për të hyrë ilegalisht në SHBA. Sot ajo udhëton nëpër SHBA dhe në të gjitha anët e ndjen dëshpërimin. Një pjesë e hispanikëve janë të frustruar, për shkak se Romney ka nxitur debatin për imigracionin, ndërsa të tjerët janë të dëshpëruar, për shkak se Obama nuk ka arritur të vë nën kontroll krizën ekonomike, e cila ka goditur rëndë hispanikët. Mendoza frikësohet se këta njerëz në nëntor nuk do të votojnë fare.
Në fillim të presidencës së Obamës, latinët kishin ndjenjën se hallet e tyre po dëgjoheshin. Obama ju premtoi një ligj për imigracionin, i cili përfundimisht do të zgjidhte problemin e 12 milionë imigrantëve ilegalë. Nga ligji nuk ka asgjë, por megjithatë, me dekret presidencial, Obama ndali dëbimin e imigrantëve të ri dhe punëtorë, të cilët në SHBA kishin shkuar si fëmijë.
Edhe biografia e Obamas bindi shumë latinë që të votojnë për të. Megjithatë, latinet kanë shumë pika të puqjes edhe me programin e republikanëve. Shumë hispanikë janë tejet religjiozë, familjet për ta janë të shenjta dhe sa i përket çështjeve sociale dhe morale, ata janë konservatorë: martesat homoseksuale dhe e drejta për abort kundërshtohen nga pjesa më e madhe e tyre. Nga ky aspekt, hispanikët në të vërtetë do të duhej të votonin për Romneyn dhe republikanët, po të mos kishin ata një qëndrim aq të ashpër ndaj imigrantëve.
Në një sallë në dalje të Colorado Springsit janë tubuar dhjetëra femra dhe meshkuj. Ata gjatë javëve në vijim do të shkojnë shtëpi për shtëpi, për të bindur sa më shumë hispanikë që është e mundur që të regjistrohen si votues. Carmen Abeyta rrëfen se si kishte kuptuar si vajzë e re se mund të ndryshojë fatin e saj vetëm nëse voton dhe ushtron trysni ndaj politikës.
“Njoftoni njerëzit se rruga për në Shtëpi e Bardhë kalon kah hispanikët. Kjo është një fuqi, e cila nuk duhet të injorohet”, nënvizon Abeyta.