Treshet e PDK’së
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës është mbledhur të hënën për të diskutuar rreth mundësisë së hyrjes në koalicion me Aleancën e Ardhmërisë së Kosovës si dhe vazhdimit të mundshëm të dialogut me Serbinë.
Lideri PDK’së, Hashim Thaçi, pas nj mbledhjeje gati dy orësh me anëtarët e Kryesisë së Partisë së tij foli për temat e takimit, ku ndër të tjera radhiti edhe zgjedhjet e brendshme partiake.
“Kemi diskutuar për hapat e mëtejshëm dhe proceset tjera politike, ishte konkluzion i përbashkët për të nxjerrë rregulloren e punës për zgjedhje dhe në të njëjtën kohë për të vazhduar për të diskutuar për procesin e dialogut të mundshëm për normalizimin e marrëdhënieve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, gjithashtu edhe për procesin e privatizimit në Kosovë”, tha Thaçi para gazetarëve të hënën.
Kreu i PDK’së hezitoi të flasë konkretisht për një koalicion me PDK’në, mirëpo pohoi se është diskutuar të ketë përmirësime edhe në qeverisje aty ku ka dobësi.
“Është diskutuar për funksionimin e gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, është diskutuar për funksionimin e Parlamentit, të Qeverisë, qeverisjeve lokale natyrisht për mundësinë e përmirësimeve aty ku ka lëshime dhe dobësi, por do të ketë mbledhje të rregullta për çdo çështje që janë ngritur si tema për t’i diskutuar”, ka thënë ai.
Më i qartë se shefi i tij, ndërkaq, rreth çështjes së koalicionit ka qenë nënkryetari i Partisë, njëherë zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi.
“Është diskutuar shumë mirë dhe po e them që PDK’ja vetëm po diskuton si me u forcu”, ka thënë Kuçi.
“Ishte një mbledhje rutinë që s’ka pasur nevojë me ardh mediet fare, nuk pati diçka të veçantë, por ajo që mund të them se pati një atmosferë shumë të mirë debatuese që diskutuam për disa çështje në radhë të parë për dialogun me të cilin do të ballafaqohemi në ditët në vijim pastaj procesit të privatizimit dhe si duhet t’i qasemi në Kuvendin e Kosovës dhe për çështjen e funksionimit të institucioneve të Kosovës dhe për zgjedhjet e brendshme të Partisë dhe përgatitjet që duhet të bëhen që këto zgjedhje të mbahen sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ai.
Mbledhja e partisë kishte filluar në orën 17, ndërkohë që ka zgjatur më shumë se dy orë.
E, përderisa krerët PDK’së ishin futur në selinë e Partisë, afër kësaj është parë edhe Kadri Veseli.
Kuçi ka mohuar që Veseli të ketë marrë pjesë në takim me arsyetimin se nuk është pjesë e Kryesisë.
“Jo, vetëm Kryesia e PDK’së ka qenë, kur të hyn në Kryesi vjen edhe ai, pse jo...”, tha Kuçi.
Pas mbledhjes dolën pothuajse të gjithë anëtarët e Kryesisë. I vetmi që kishte dalë shumë kohë para se të përfundonte takimi ishte Azem Syla. Ky i fundit nuk ka pranuar të flas para medieve. Ndërsa, për largimin e tij të hershëm ndërkaq nuk pati koment shefi i tij, Hashim Thaçi.
“Të them të drejtën nuk e kam shikuar se kush ka dalë i pari e kush i fundit, kam qenë në rolin e Kryetari të partisë qysh më takon me program dhe statut kështu që kush ka ardh i pari e kush ka dalë i fundit nuk është as në profilin tim të regjistroj”, u shpreh Thaçi.
Një pyetje ndërkaq mbeti pa përgjigje si nga Thaçi ashtu edhe nga Kuçi.
Që të dytë nuk komentuan rreth interesimit të medies për deklarimet e fundit të kreut të AKR’së Behgjet Pacolli në lidhje me “aferën” e Hotelit Grand.
Kuçi për më e ironizoj pyetjen duke thënë se PDK’ja merret vetëm me gjëra të mëdha.
“Partia Demokratike e Kosovës flet për gjëra të mëdha”, u shpreh Kuçi.
Ndryshe, Kuçi tha se për çështjet e diskutuara në mbledhje është formuar edhe një grup të cilin e kryeson Lideri i Partisë. Ky grup sipas Kuçit, do të marrë vendime adekuate për secilën çështje në bazë të rekomandimeve të Kryesuesit të tij Hashim Thaçi.