E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendstrehimet e Dritan Dajtit në Tiranë

Si mundi të shpëtojë Dritan Dajti nga rrethimi në një banesë në lagjen "Ali Demi" dhe në operacionin në "Komunën e Parisit"


Policia pohon se ka identifikuar disa prej miqve që sipas saj strehuan Dajtin në kryeqytet


TIRANË- Dritan Dajti kishte mundur që t'i shpëtonte të paktën dy herë operacioneve të policisë të kryeqytetit, e cila kishte tentuar që ta arrestonte. Në të dyja rastet, ai ishte larguar mjeshtërisht duke treguar se ishte i aftë jo vetëm të arratisej nga gjykata, ku ndodhej nën masa të rrepta sigurie, por edhe t'iu shmangej efektivëve të Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Madje duket se arratisja spektakolare e tij, nga Gjykata e Tiranës në nëntor të vitit 2003, kishte qenë një veprim i realizuar me mjeshtëri, ndërsa po kaq aftësi, është cilësuar nga policia shmangia e tij në disa operacione të njëpasnjëshme. Për herë të fundit, njeriu i akuzuar nga policia si autor i ngjarjes së rëndë të shtatë gushtit në plazhin e Durrësit, iu ka humbur nga sytë punonjësve të policisë në rrugën "Komuna e Parisit", ku qëndronte i strehuar nga dy persona, miq të afërt të Dajtit.

Policia kishte marrë informacione se i shumëkërkuari Dritan Dajti ndodhej në një apartament në katin e dytë të një pallati në rrugën "Ali Demi", pranë ish- postës së policisë në këtë zonë. Burime të Policisë së Shtetit, kanë pohuar se fillimisht Dajti është mbajtur nën vëzhgim në afërsi të kryqëzimit të rrugës "Idriz Dollaku", me rrugën "Ali Demi". Pikërisht për të arrestuar të shumëkërkuarin në këtë zonë, blutë e kryeqytetit dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë kanë organizuar një ndërhyrje.

Në këtë operacion Dajti ka mundur t'iu shpëtojë efektivëve të policisë që kontrolluan banesën në katin e dytë të pallatit, por nuk mundën të gjenin të kërkuarin në të. Ende nuk dihet mënyra se si Dajti arriti të dalë nga kjo banesë përpara se aty të mbërrinin efektivë të Policisë, për ta ndaluar. Pas këtij operacioni të dështuar dhe të panjohur, Dajti ka ndërruar vendqëndrimin e tij. Por informacionet e policisë tregonin se ai do të kthehej aty dhe uniformat blu kanë mbajtur nën vëzhgim banesën edhe për një kohë të gjatë. Në të vërtetë kjo nuk ka ndodhur dhe policia ka shpenzuar energji të kota bazuar në një informacion që rezultoi i pavërtetë.

Pas largimit nga kjo adresë në rrugën "Idriz Dollaku", i shumëkërkuari Dajti, ka gjetur strehim në një banesë tjetër në rrugën "Komuna e Parisit". Ai ka preferuar që të qendrojë në një apartament në katin e tretë të bllokut të pallateve të njohur me emrin pallatet e arabit. Policia ka mundur të identifikojë si vendndodhje të Dajtit, vetëm pak javë pas largimit të tij nga adresa e parë.

Policia ka vazhduar ta mbajë në vëzhgim Dajtin në këtë adresë për një periudhë të konsiderueshme kohore duke vëzhguar lëvizje të ndryshme të tij si dhe të personave të tjerë që mendohet se mund të kenë pasur lidhje me të. Edhe në këtë rast, Dajti, falë aftësisë së tij për t'iu shmangur efektivëve të Policisë ka mundur t'iu largohet atyre përpara operacionit në kohën që blutë përgatiteshin të kryenin ndalimin dhe arrestimin e e tij.

Pikërisht në këtë zonë, të rrugës "Komuna e Parisit", policia ka pasur për herë të fundit në sytë e saj Dritan Dajtin, duke humbur orientimin për të. Pak kohë më vonë, në fund të muajit të kaluar, blutë kishin identifikuar vendndodhjen e kunatit të Dajtit, në plazhin e qytetit të Durrësit, ku u zhvillua edhe operacioni i dhjetë ditëve më parë për arrestimin e tij.

Largimet e shpeshta të Dritan Dajtit vetëm pak minuta përpara mbërritjes së policisë por edhe kontaktet e tij me shumë oficerë policie kanë hedhur dyshime për dekonspirim nga ana e uniformave blu. Hetuesit kanë shprehur dyshimet e tyre nëse është thjesht aftësia e Dajtit për të nuhatur pritat apo informacionet e brendshme që e kanë mbajtur atë gjithmonë një hap përpara policëve që tentonin ta arrestonin.

Operacioni i fundit

Për herë të fundit policia zbuloi vendqëndrimin e Dajtit në një banesë në rrugën "Komuna e Parisit". Kjo ndodhi vetëm pak kohë përpara se të ndodhte ngjarja e rëndë e shtatë gushtit, në plazhin e Durrësit. Dajti ishte identifikuar nëpërmjet kunatit të tij Ergest Xhaxho dhe ai ndodhej në një banesë në zonën e plazhit në Durrës ku ndërhyri edhe Grupi i Operacioneve Speciale i drejtuar nga Fatos Xhani, dhe tre kolegët e tij, Katriot Feskaj, Altin Dizdari e Sajmir Duçkollari. Siç dihet tashmë, në këtë operacion, katër policët mbetën të vdekur ndërsa mbeti i vrarë Ledion Mara. Autori i vrasjes së katër policëve dhe Ledion Marës ishte pikërisht Dritan Dajti. Ai u arrestua për herë të dytë duke u akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese.


Dy kushërinjtë strehuan Dajtin

Dy persona kushërinj të afërt mes tyre me banim në afërsi të shkollës "Sabaudin Gabrani", janë identifikuar nga policia se kanë ndihmuar dhe strehuar në disa raste. Sipas burimeve, dy personat emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur nga blutë e kryeqytetit janë njohur prej këtyre të fundit si miq të afërt të të kërkuarit. Këta të fundit mësohet se janë vëzhguar gjithashtu prej bluve të kryeqytetit, me qëllim për të zbuluar ndonjë itinerar të mundshëm të të kërkuarit.

Burime të policisë pohojnë se për këta dy persona ata vetë kanë pasur dyshime për përfshirje në veprimtari të paligjshme, por ndaj tyre nuk ka pasur prova konkrete dhe ndaj tyre nuk ka pasur edhe hetim apo veprime të tjera penale nga policia dhe organet e tjera.

Avokati: Apelim për Erges Xhaxhon

Avokati Arben Qeleshi, përfaqësues ligjor Erges Xhaxhos, kunatit të Dritan Dajtit, pritet të dorëzojë sot një kërkesë në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, për të kërkuar lirimin e tij. Ky fakt është pohuar për gazetën "Shekulli", dje nga vetë avokati Qeleshi, nëpërmjet linjës telefonike. Ai shpjegoi se ka përgatitur një kërkesë për Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku do t'i kërkojë asaj lirimin e klientit të tij, me argumentimin se ai nuk është i përfshirë në ngjarjen e dhjetë ditëve më parë, ku mbetën të vrarë katër efektivë policie, Fatos Xhani Sajmir Duçkollari, Kastriot Feskaj e Altin Dizdari.

Sipas Avokatit Qeleshi, ai do të dorëzojë këtë kërkesë në Gjykatë me qëllim shqyrtimin e saj, për të liruar klientin e tij. "Akuza e ngritur nga organi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për përkrahje të autorit të krimit pas kryerjes së veprës penale, është e pabazuar" Avokati Qeleshi, pohoi se për këto arsye ai do të apelojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhënë për klientin e tij. Më tej ai shtoi se nuk është lajmëruar nga organi i akuzës për ndonjë seancë të marrjes në pyetje të tij, por ka pasur vetëm komunikim të akuzës për të pandehurin Xhaxho.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›