E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët e Vlorës kërkojnë rikandidimin e Ramës

Këshilli Socialist i rrethit Vlorë, vlerëson se kongresi nuk duhet të njohë rezultatin e zgjedhjeve


Shtohet numri i forumeve partiake lokale socialiste, që mbështesin vendimin e Asamblesë Kombëtare për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, si dhe qëndrimin e mbajtur nga kreu socialist, Edi Rama, kundrejt një debati të tillë. Pas socialistëve të Fierit dhe Pogradecit, edhe ata të Vlorës kanë ndërmarrë të njëjtin hap, për t'u deklaruar publikisht nëpërmjet një vendimmarrjeje institucionale, në mbështetje të Rezolutës së Asamblesë Kombëtare, ku sanksionohet ndërmjet të tjerave, se rezultati i zgjedhjeve parlamentare është jo real dhe, për rrjedhojë, i papranueshëm. "Mbështet unanimisht rezolutën e miratuar nga Asambleja Kombëtare dhe bashkohet me qëndrimin se rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit është i papranueshëm dhe është shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas 28 qershorit, duke bërë përgjegjëse qeverinë e Sali Berishës", - thuhet në deklaratën e bërë publike së fundmi nga Këshilli Socialist i rrethit Vlorë.

Për rrjedhojë, kjo strukturë lokale i kërkon PS-së që të insistojë deri në fund për të detyruar strukturat kompetente shtetërore që të hapin kutitë e votimit në qarqet ku rezultati ka qenë kontestuar edhe në KQZ dhe në Kolegj Zgjedhor. "Mbështet qëndrimin e PSSH-së për numërimin deri në fund të votave të shqiptarëve dhe pritjes së deklarimit të rezultatit zyrtar nga institucionet përkatëse ligjore", - thuhet në këtë deklaratë. Ndërkohë, ata i konsiderojnë të pamoralshme qëndrimet e shprehura nga disa përfaqësues të lartë socialistë, siç është rasti i Kastriot Islamit, të cilët ishin nga hartuesit kryesorë të këtij Kodi Zgjedhor, që nuk mundi të nxjerrë PS-në forcë e parë me mandate deputetësh, pavarësisht se është me vota popullore.

"Nuk bie dakord me daljet publike të disa drejtuesve politikë, madje hartues të Kodit Zgjedhor, të programit elektoral dhe qeverisës dhe drejtuesve të fushatës në qarqe, që shpejtuan të kërkojnë njohjen e humbjes dhe dorëheqjen e kryetarit, ndërkohë që procesi i numërimit të votave dhe certifikimi i rezultatit nuk kishte përfunduar", - shprehen socialistët vlonjatë. Në këtë linjë qëndrimi, Këshilli Socialist i rrethit Vlorë, i kërkon Edi Ramës të rikandidojë për kryetar të PSSH-së në Kongresin e Jashtëzakonshëm të 29 gushtit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›