E Shtunë, 31 Tetor 2026

Venezuele Supremja refuzon apelimin e Capriles

Gjykata më e lartë e Venezuelës ka refuzuar apelimin e liderit të opozitës, Henrique Capriles, kundër rezultatit të zgjedhjeve të kontestuara të muajit prill.

Gjykata Supreme e Drejtësisë e përshkroi apelimin si “të papranueshëm”. Pas këtij vendimi, Capriles dha një mesazh në Twitter, ku theksoi se “ka mungesë drejtësie” në Venezuelë. Nicolas Maduro, pasardhësi i përzgjedhur nga Hugo Chavez, fitoi zgjedhjet me më pak se 1,5% të votave, apo afro 200 mijë vota më shumë. Opozita akuzoi se votimi ishte njollosur nga manipulimi. Në qershor, Komisioni Kombëtar Zgjedhor i Venezuelës (CNE) konfirmoi fitoren e presidentit Maduro, pas një auditi të miliona votave, por Capriles denoncoi auditin si “të rremë”. Në vendimin e së mërkurës, gjykatësja Gladys Gutierrez tha se opozita nuk kishte ofruar “prova të mjaftueshme” për të mbrojtur pretendimet e tyre. Apelimi ishte dorëzuar nga Capriles, koalicioni opozitar dhe shumë qytetarë. Të martën, Capriles kritikoi vonesën e gjykatës në marrjen e një vendimi dhe tha se do ta çonte çështjen në “trupën ndërkombëtare”. Zgjedhjet e prillit u mbajtën pas vdekjes së presidentit Chavez, më 5 mars, pas një beteje të gjatë kundër kancerit. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›