Venezuelë, shpërthen rafineria, 27 të vdekur dhe 50 të plagosur
Të paktën 27 persona kanë vdekur dhe 50 të tjerë janë plagosur në Venezuelë, nga shpërthimi i një rafinerie nafte. Bilanci i viktimave është paraprak, ndërkohë që mes tyre ka pasur edhe fëmijë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në impiantin Amuay, në gadishullin Paraguana, në perëndim të vendit, rreth 350 kilometra nga Karakasi, dhe sipas ministrit të Energjisë së Venezuelës, Rafael Ramirez, është shkaktuar nga derdhja e gazit. Shpërthimi ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme dhe në vendngjarje ende ndodhen dhjetëra makina zjarrfikëse dhe mjete që po punojnë për shuarjen e flakëve.
Ndërkohë autoritetet kanë qetësuar opinionin publik se nuk ka rrezik për një shpërthim tjetër. Gjuhët e flakëve janë shumë të fuqishme pasi po digjen hidrokarburet e stabilimentit. Ka pasur një rrjedhje gazi dhe në këtë mënyrë është krijuar një re që ka shpërthyer, duke shkaktuar zjarrin në dy sektorë të ndryshëm të rafinerisë. Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe në banesat që ndodhen pranë zonës, ka shpjeguar ministri Ramirez.
25 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Venezuelë, shpërthen rafineria, 27 të vdekur dhe 50 të plagosur burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip