E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksperti Maser: “Rishikim i të shkuarës komuniste si domosdoshmëri për të ardhmen”

18-12-2012 / Gazeta 55

Model gjerman për të zbardhur periudhën komuniste në Shqipëri
 
Një model gjerman për të zbardhur periudhën komuniste në Shqipëri. Dilema për ta kthyer kokën tek e kaluara apo për ta harruar atë, ka marrë përgjigje në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenauer”. Eksperti Peter Maser dhe ambasadorja gjermane në Shqipëri Carola Muller-Holtkemper këshilluan politikën shqiptare që ta zbardhin njëherë e mirë atë që ndodhi për 45 vjet në regjimin e Enver Hoxhës. “Diktatura që ka përjetuar Shqipëria ka qenë shumë herë më brutale se ajo gjermane. Unë do theksoja 2 probleme që duhet të keni parasysh. Njëra ka të bëjë me kohën pasi një pjesë e viktimave të periudhës komuniste janë të moshë të thyer dhe duhet të tregojnë pasi mund të mos jenë më. Dhe e dyta duhet të jeni të durueshëm në trajtimin e kësaj periudhe”, tha eksperti Peter Maser.
Gjatë konferencës, ambasadorja gjermane, Karola Holtkemper, tha se terrori komunist nuk duhet të harrohet, por të shërbejë si një pikë reflektimi.
Sipas ambasadores, të mbijetuarit e regjimit duhet të tregojnë historinë e tyre, në dëshmi që të shërbejnë dhe për botimin e të tjera vëllimeve mbi komunizmin. “Po të kemi parasysh historinë gjermane duhet të shohim që nëse harrojmë historinë ne nuk mund të kemi demokraci. Trajtimi i së shkuarës nuk duhet lënë në harresë. Në Gjermani politika ka luajtur një rol të rëndësishëm në trajtimin e kësaj periudhe”, deklaroi ambasadorja Holtkemper.
Një çështje që prej 20 vitesh mbetet pezull në vendin tonë është trajtimi i kësaj periudhe në librat shkollorë.
Gjatë konferencës janë prezantuar tre studime të rëndësishme historike të cilat pasqyrojnë persekutimin politik në Shqipëri:”Fjalori enciklopedik i Viktimave  të terrorit komunist”, “Sekuestrimi i pronës dhe arit (1944-1955), dhe “Procesi i asgjësimit të fesë në komunizëm”.
I pranishëm në konferencë, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, foli mbi rëndësinë e botimeve të tilla, të cilat janë të mirëpritura edhe në sistemin arsimor.
Studiues të ndryshëm referuan në lidhje me krimet e komunizmit dhe rëndësinë që ka rishikimi i historisë si një nevojë për të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Ndër studiuesit që referuan ishin, Agron Tufa, Mark Marku, Visar Zhiti, Uran Butka, Çelo Hoxha etj.
Në përfundim të aktivitetit, u sollën edhe rrëfime personale nga të përndjekurit politik. Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit grumbullon të dhëna, dokumente dhe dëshmi që i shërbejnë ndriçimit të veprimtarisë së organeve e strukturave të sigurisë së shtetit, të formave të persekutimit dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të gjitha veprimtarive që kanë çuar në dhunimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist; evidenton personat që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar direkt ose indirekt në veprime represive në jetën sociale dhe kulturore, përfshirë këtu luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›