E Diel, 1 Nëntor 2026

Venizelos: Marrëveshja detare me Shqipërinë, prioritet i ngutshëm

Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm grek, Evangelos Venizelos ka theksuar se ratifikimi i marrëveshjes për kufirin detar me Shqipërinë do të jetë një nga prioritetet e ngushtshme të diplomacisë greke. 

Me Shqipërinë, “prioriteti ynë bazë është të rikthehemi në procesin e ratifikimit dhe sanksionimit të marrëveshjes për zonat detare, pas bllokimit nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë”, deklaroi Venizelos, para komisionit të Politikës së Jashtme dhe Mbrojtjes të parlamentit grek. 

Venizelos iu është referuar marrëdhënieve me Kosovën, për të cilat ka thënë se ato do të shqyrtohen në dritën e zhvillimeve të reja të dialogut Prishtinë Beograd, ndërsa ka deklaruar se “jemi gati të presim në Athinë hapjen e zyrës tregtare të Kosovës”. 

Lidhur me Maqedoninë, shefi i diplomacisë greke ka vënë në dukje se "askush nuk mund ta ndalojë të anëtarësohet në çfarëdo organizmi me emrin provizor", ndërkaq, “arroganca, shkelja dhe ofendimi i trashëgimisë kulturore greke, lëkundja e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, përfshihen në sferën e detyrimeve të përgjithshme të çdo vendi që aspiron të anëtarësohet”, theksoi ai. 

"Ne mbështesim misionin e Këshillit të Sigurimit, ambasadorin Metju Nimic, dhe kthehemi në propozimin tonë për një Memorandum të mirëkuptimit të ndërsjellë, i cili i vendos marrëdhëniet në një kontekst të organizuar", tha Z. Venizelos.
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›