E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vepra e Pavarësisë i është vjedhur skulptorit Serra

Pas akuzave nga artisti Fate Velaj, projekti fitues i monumentit të Pavarësisë përballet edhe me një akuzë tjetër për plagjiat. Vepra fituese ngjason shumë me skulpturën ‘Lead’ të artistit amerikan Richard Serra.

Projekti i Visar Obrisë dhe gjermanit Kai Roman Kiklas, i shpallur të martën si projekti fitues nga Kryeministri Berisha, ngjan si dy pika uji me veprën e skulptorit me famë botërore Richard Serra, shkruan sot gazeta Shqiptarja.com. Ndërkohë që vepra "Lead" e Serrës mban përsipër një shkop, vepra e pavarësisë mban një gjysmë çatie. Koncepti është i njëjtë për të dyja veprat: njerëzit të kalojnë përmes skulpturës, e cila vendoset direkt në tokë. Të dyja veprat ofrojnë mesazhe si një libër i hapur. Vepra e kopjuar është me materiale të rënda, po ashtu është menduar të bëhet edhe fituesja.

Pas një denoncimi të artistit të njohur Fate Velaj, i cili shprehet se është vjedhur vepra e tij ‘Dyert e Europës’, e ekspozuar në vitin 2009 në Pogradec, u zbulua se vepra fituese në fakt ngjante më së shumti me veprën e skulptorit të famshëm Richard Serra.

Për fituesin e bocetit të Monumentit të Pavarësisë, miratuar dy ditë më parë nga Komiteti Shtetëror dhe Kryeministri Berisha, u gjetën argumente të forta, të cilat konfirmojnë mungesën e origjinalitetit të kësaj vepre dhe njëkohësisht kopjimin e stilit dhe konceptit unik të Riçhard Serra-s.

Visar Obrija dhe Kai Roman Kiklas, njëri artist nga Kosova dhe tjetri nga Gjermania, kanë pohuar se janë frymëzuar nga banesa tradicionale shqiptare. Me përjashtim të disa detajeve që artistët i kanë paraqitur në emër të pavarësisë, çdo gjë tjetër ishte e ngjashme. Dy skulptura ‘vertikale’ metalike në të njëjtin pozicion dhe distancë, të cilat, jo vetëm janë bërë me konceptin që të kalojnë qytetarët, por me një ndryshim të vogël, që në vend të një shkopi horizontal u vu gjysmëçatia.

Gazeta tiranase pohon gjithashtu se nuk është kopjuar vetëm ana vizuale e skulptorit të famshëm amerikan. “Atij i është vjedhur edhe koncepti i tij tepër autentik. Serra njihet si skulptori që ka vendosur monumente dhe statuja në gjithë globin, përfshi që nga skulpturat e parqeve deri te memorialët. I njohur si skulptor modern minimalist, Serra ka bërë revolucion me artin e tij. Ai është unik për realizimin e skulpturave në mënyrë të tillë që të kalojnë qytetarët. Zbritjet nga piedestali drejt e në tokë, vëllimet abstrakte, efektet e ndriçimit dhe realizimi në metale të rënda janë një shenjë e origjinalitetit dhe personalitetit artistik të Richard Serra-s. Rrugëzat nëpër memorialë dhe skulptura janë shpikje e tij, por edhe stili i veçantë, për të cilët kritikët thonë se është një artist që i jep lëvizje emocionale edhe skulpturës së derdhur në metalin më të fortë”, shkruan Shqiptarja.com.

Veprat më të njohura të Serra-s mund të shihen në New York, Londër dhe Paris.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›