E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtines

Fakte të shumta historike, që në opinion paraqiten për herë të parë sjell libri “Veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës”, e autorëve Skënder Hasani, Sefer Tahiri dhe Mehmet Prishtina. Ky libër që u promovua në Shkup, për herë të parë sjell për lexuesin raporte të shumta që diplomatët e fuqive të mëdha kanë dërguar në kryeqytetet e tyre, e që kanë të bëjnë me situatën në trojet shqiptare në Ballkan para, gjatë dhe pas luftës së parë botërore. Posaçërisht interesant është dokumenti i një diplomati italian që për herë të parë është zbuluar në arkivat në Shkup. Ky dokument tregon se edhe pse kanë qenë kundërshtar të mëdhenj, Hasan Prishtina dhe mbreti Ahmet Zogu në vitin 1931 janë treguar të gatshëm të bashkëpunojnë mes veti në interes të çështjes së Kosovës. 
Recensentë të këtij libri janë profesori Blerim Reka dhe profesoresha e njohur nga Lubjana,  Vasilka Sancin e cila të dhënat e prezantuara në këtë libër, i ka krahasuar me  informatat të cilat plasohen sot në Vikiliks. 
“Po të ishte botuar ky libër në kohën prej kur datojnë dokumentet, atëherë do të ishte një ngjarje e rangut të Vikiliksit. Një nga shkaqet pse është ky libër aq i rëndësishëm, është se flet për vlerat intelektuale të Hasan Prishtinës, të cilat janë vlera universale dhe të cilat janë aktuale edhe sot e kësaj dite”, u shpreh Vasilka Sancin, profesoreshë në Universitetin e Lubjanës
Bashkautor i librit është edhe Mehmet Prishtina, pasardhësi i Hasan Prishtinës. Ai e ka shfrytëzuar këtë promovim për të folur edhe njëherë për lidhjet e forta të parardhësit të tij me Shkupin. 
Promovimi i librit “Veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës” është në kuadër të manifestimeve të shumta kushtuar kësaj figure historike, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Javën e ardhshme do të mbahet edhe një akademi shkencore kushtuar jetës dhe veprës së tij, kurse më 14 tetor busti i Hasan Prishtinës do të vendoset në qendër të Shkupit, afër sheshit Skënderbeu.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›