E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre fitore ne ndeshjet e Superliges shqiptare

Ka pasur 2 fitore 1-0 në dhe një sukses 2-0 në 3 ndeshet e sotme të Superligës shqiptare. Vllaznia fitoi në fushën e saj 1-0 ndaj Laçit, në përballjen më të rëndësishme të së dielës. Kuqeblutë e patën tepër të vështirë dhe arritën të shënonin golin e vetëm të ndeshjes 11 minuta para përfundimit me anë të Dragoit.
Shkodranët patën epërsi në pjesën më të madhe të ndeshjes duke gjuajtur më shumë drejt portës kundërshtare dhe duke ekzekutuar më shumë goditje nga këndi.
Megjithatë, u krijuan pak raste të pastër për shënim, diçka normale duke pasur parasysh se përballë ishte një ekip i organizuar si ai kurbinas i trajnerit Stavri Nica.
Kjo fitore bën që Vllaznia të ngjitet në vendin e tretë me 11 pikë, 3 pikë më pak se Skënderbeu dhe vetëm 1 pikë më pak sesa Tirana, duke lënë prapa fillimin e dobët të kampionatit.
Në dy ndeshjet e tjera u arritën fitore jashtë fushe. Besa fitoi 2-0 në Gjirokastër, në një përballje tepër të vështirë ndaj Luftëtarit, ndërsa Teuta fitoi po 1-0 në Krujë ndaj Kastriotit.
Për Besën, autorë të golave të fitores ishin Pocuca në minutën e 46-të dhe Dita 6 minuta para fundit, ndërsa për Teutën suksesin e siguroi rrjeta e shënuar nga Jakupi 20 minuta para fundit.
Në Gjirokastër, vendasit patën epërsi në pjesën e parë duke e impenjuar mjaft mbrojtjen kavajase, por duke mos shënuar dot.
Në pjesën e dytë, Besa u tregua më e pjekur duke realizuar dy herë dhe duke përballuar reagimin e pritshëm të Luftëtarit. Me fitoren e arritur Besa është po ashtu në vend të tretë si Vllaznia, me 11 pikë, ndërsa Teuta është e 6-ta me 10 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›