Timo Flloko prezantues i “Durrës Film Festival”
Është kthyer nga pushimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me bashkëshorten e tij regjisoren Vera Grabocka ka kaluar një kohë të këndshme pranë vajzës së tyre dhe dy nipave të tyre. Me energji dhe sipërmarrje të reja. Pas sjelljes në shqip prej tij të librit “Shpirti”, shkruar nga psikiatri amerikan Brian L. Weiss, aktori i mirënjohur Timo Flloko do të jetë moderator i edicionit të katërt të Festivalit të Filmit në Durrës, që nis sot në mbrëmje në Amfiteatrin Romak. Rol të cilin Timo e merr për herë të dytë dhe iniciativë që është përshëndetur nga gjithë artdashësit. Kështu sot ai pas performancës së të gjithë të ftuarve në tapetin e kuq (që është kthyer në një traditë, si në çdo festival botëror), do të ngjitet në skenë për të mirëpritur gjithë të ftuarit VIP, që këtë herë i kapërcejnë më shumë se kurrë dimensionet e Europës. Përmendim këtu ardhjen e të madhit regjisor Francis Ford Coppola. Në hapjen e këtij festivali do të jepet edhe Çmimi i Karrierës, në mungesë, për Aktorin e Popullit Vangjush Furxhi. Festivali do të zgjasë pesë net, ku hapja dhe nata e mbylljes do të jenë edhe mbrëmjet Gala, në të cilat Flloko pritet të shkëlqejë si gjithmonë me sharmin dhe elokuencën e tij! Ndër të tjera, Timo pritet të kthehet sërish në Teatrin Kombëtar për suksesin e fundit teatror të tij me dramën “Shtrigat e Salemit”, të regjisorit Spiro Duni. Por deri sa të nisë sezoni i ri teatror, le të shijojmë këtë paraqitje në skenën e Festivalit të Timos!