E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vera dhe Alketa zbulojnë jurinë e X Factor

Pandi, Albani, Juliana dhe Besa juria e momentit

X Factor udhëtoi në të gjithë Shqipërinë në kërkim të artistëve të rinj. Mijëra konkurrentë morën pjesë në garë, për t’u seleksionuar në qindra, të gjithë me të njëjtën ëndërr… Të bëhen superstar dhe të kalojnë në fazën finale. Skuadra e produksionit, e drejtuar nga Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu në prezencën e përfaqësuesve të ‘Fremantle Media’, u kujdesën për çdo detaj, që X Factor të shkëlqejë njësoj si në të gjitha simotrat perëndimore, në infrastrukturën më të fundit teknologjike të Tv Klan.

Stacioni i parë i audicionit përpara jurisë ka qenë qyteti i Vlorës, ku konkurrentë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë udhëtuan që në orët e para të mëngjesit, drejt qytetit bregdetar. Saranda, Gjirokastra, Fieri, Lushnja, Durrësi ,Tepelena dhe vetë Vlora performuan nën dritat e skenës, me emocionet e prindërve dhe të afërmeve që prisnin me ankth përfundimin e performancës … këtë herë me një sfidë më shumë… Përpara anëtarëve të jurisë.

Paneli i jurisë shëtitëse, në Vlorë, përbehej nga 4 personalitete të njohur të medias dhe muzikës:

Pandi Laço, Besa Kokëdhima, Juliana Pasha dhe Alban Skënderaj… Ende nuk dihet se cila do të jetë juria përfundimtare e spektaklit në netët finale.

Në fakt shumë njerëz kanë pritur që në juri të shihnin producentet artistike Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu… Por siç duket Grabocka nuk ka dashur ta lërë pas dore regjinë, ndërsa Vejsiu është parë në ‘backstage’, duke ndarë emocionet me fituesit e kësaj faze, apo duke përqafuar dhe inkurajuar ata që përgjigjen negative të jurisë e shoqëruan me lot në sy. Alketa ka intervistuar dhe mbështetur për në fazat e tjera konkurrentët, ndërsa nuk kanë munguar edhe komunikimet me familjarët e konkurrentëve, duke treguar se jo vetëm që gjente fjalët e duhura për këdo, por edhe nxirrte në pah anën e saj njerëzore që e veçon ngahera.

4 anëtarët e jurisë, të cilët kishin marrë këtë rol të ri, kaluan provën e tyre të parë si gjykatës të konkursit më të famshëm muzikor në botë; mes habisë së zërave të jashtëzakonshëm, humorit dhe origjinalitetit që sollën shumë të tjerë. Në audicionin e parë përpara jurisë në Shqipëri kishte mbërritur edhe Producenti fluturues i X Factor, Chris O’Dell, i cili mori mbresa jo vetëm për talentet që dëgjoi, por edhe për besimin që kishin të gjithë konkurrentët te X Factor.

X Factor Albania do të vijojë audicionin e dytë të madh përpara anëtarëve të jurisë, në teatrin “Migjeni”, në datat 17 dhe 18 tetor, për të vijuar pastaj në Elbasan, në datat 25,26 tetor; Prishtinë 29 tetor dhe Tiranë 1-4 nëntor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›