E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verdiktet e Superligës, konkludim perfekt i llogarive?

Edmond Sufaj

Të flasësh për llogari në vetvete është shumë e vështirë, pasi një term i tillë është shumë ekzakt për të dhënë shpjegime të sakta. Kampionati shqiptar i sapo përfunduar ka sjellë çdo javë të papritura të jashtëzakonshme në aspektin rezultativ, por të cilat çuditërisht nuk kanë ndikuar aspak në përcaktimet përfundimtare të skuadrave që do të shkojnë në kupat e Evropës dhe sidomos në përcaktimin e skuadrës kampione. E them që nuk kanë ndikuar, sepse që në javët e para të saj qarkullonin verdikte nga drejtuesit e skuadrave të ndryshme, që vinin në dukje skuadrën që do të fitonte titullin nga njëra anë dhe  skuadrat do të shkonin në kupat e Evropës nga ana tjetër.

Një pjesë e mirë e kundërargumenteve të këtyre teorive i arsyetonin këto thënie si justifikime të drejtuesve të skuadrave mbi dështimet e tyre rezultative. Nuk po përmend me radhë akuzat apo thëniet e trajnerëve apo drejtuesve zyrtarë të skuadrave, por po sjell rastin e fundit, ku trajneri spanjoll i skuadrës së Tiranës tha para pak ditësh se e dinte skuadrën fituese të titullit kampion që në muajin nëntor. E thënë nga një i huaj, diçka e tillë merr vlerë të veçantë, edhe për faktin që Tirana konsiderohet nga llogaritë perfekte të sezonit si fituesja e kupës së Shqipërisë.

Në futboll nuk ka vend për orakull, por përcaktimet definitive të skuadrave në renditjen e kampionatit janë në përputhje të plotë me verdiktet e llogarive që kanë qarkulluar që në fillim të nisjes së saj. Madje këto llogari nuk u vunë asnjëherë në dyshim pas rezultateve të çuditshme të javëve të fundit të kampionatit, ku skuadrat kryesuese fitonin dhe humbnin në ndeshje të pa menduara. Ekzistenca e kalkulimeve të mundshme të rezultateve u vërtetuan në dy ndeshje të javës së fundit, ku u shënuan 19 gola në 180 minuta. E çuditshme për një kampionat normal, por aspak e çuditshme kur flasim për llogari, siç ishte dhe rasti i golashënuesit më të mirë të Superligës. Si është e mundur që katër skuadra të bien në ujdi brenda 90 minutave për sasinë e golave që kanë nevojë sulmuesit e tyre?

Si është e mundur të mos flasim për llogari afatgjata, kur llogaritë bëhen kaq trashë dhe kaq hapur brenda një kohe kaq të shkurtë, pra për 90 minuta? Këto pikëpyetje e kanë një përgjigje, të cilën mund ta themi pa dyshim, planifikimi rezultativ ekziston rëndom në futbollin shqiptar, për pasojë numri i sportdashësve sa vjen e zvogëlohet, pasi rezultatet në përgjithësi nuk vijnë si pasojë e lojës, por si pasojë e llogarive. Në konkludimin perfekt të llogarive të këtij sezoni mungon vetëm fituesja e kupës së Shqipërisë, e cila përmban në listën e saj skuadrën e Tiranës si fituesen e saj. Gjithsesi mendimi i ekzistencës së llogarive perfekte nuk ka ardhur nga imagjinata individuale, por nga vetë aktet e aktorëve të futbollit tonë, të cilët duam apo nuk duam ne, po e kthejnë lojën e bukur të futbollit në një play station, ku aktorët jashtë saj janë përcaktuesit kryesorë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›