Verifikimi elektronik në Tiranë, KQZ pritet të japë verdiktin final
Pas dështimit të numërimit elektronik të votave në qarkun e Fierit edhe projekti i verifikimit të kartave të identitetit në kryeqytet duket se do të ketë të njëjtin fat.
Pikërisht për këtë problem pritet që Komisioni Qendror Zgjedhor të mblidhet rreth orës 18.00 për të deklaruar se projekti teknologjik i verifikimit dhe regjistrimit elektronik të zgjedhësve në Tiranë do të anulohet.
Mësohet se testi i realizuar më 8 qershor prej kompanisë INDRA për kartat ka rezultuar me probleme. Si rezultat administrata e KQZ-së konstatoi më tej se janë vërejtur mangësi në elementët e sigurisë si dhe nga ana operacionale dhe funksionale e sistemit.
SEV parashikonte procesin e verifikimit elektronik të mjeteve të identifikimit të zgjedhësve, që do të votojnë në zgjedhjet e 23 qershorit, dhe do të implementohej në mbi 1400 qendra votimi që janë në këtë qark.
Në provën e parë problem ishte se ata votues që votonin dy herë zbuloheshin vetëm pas 48 orësh, gjë që ngjalli pakënaqësi tek subjektet politike.