APOEL, nuk i reziston Realit

Real Madridi dhe Chelsea e kanë bërë nga një hap të madh drejt kualifikimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Kjo pasi të dyja këto skuadra, të martën mbrëma kanë arritur të shënojnë fitore në ndeshjet e para çerekfinale përballë APOEL Nicosias, përkatësisht Benficës – madje si mysafire të tyre - duke ia lehtësuar kështu vetës punët për ndeshjet e kthimit, që do t’i zhvillojnë pas dy javësh.
Ekipi qipriot, APOEL Nicosia – i cili ka befasuar në këtë edicion, duke mbërri deri në çerekfinale – nuk ka mundur t’i bëjë ballë Real Madridit, i cili ka shënuar fitore me rezultat 0:3. Gjiganti evropian nuk e ka gjetur rrugën e golit gjatë pjesës së parë, por në të dytën shpërtheu, duke shënuar tri herë.
Spanjollët kanë kaluar në avantazh prej 0:1 në minutën e 74-të me golin që e shënoi Benzema. Kurse, Kaka e dyfishoi avantazhin e Realit në 0:2 në minutën e 82-të. Ndërsa, bë minutën e 90-të, Benzema ka shënuar edhe një herë për rezultat përfundimtar 0:3.
Kështu, Reali ndeshjen e kthimit e pret vetëm sa për ta konfirmuar kualifikimin në gjysmëfinale, pasi APOEL do ta ketë thuajse të pamundur të befasoj, duke e shkrirë këtë disavantazh të madh, sidomos kur dihet se do të luaj në ‘Santiago Bernabeu’.
Fitore shumë të rëndësishme ka shënuar edhe Chelsea, që e mposhti Benficën me rezultat minimal, 0:1. Hero i skuadrës angleze ishte Kalou, i cili në minutën e 75-të ia ka dal ta shënoj golin e vetëm dhe të fitores për ekipin e tij.
Kjo fitore e ka dërguar Chelsean pranë gjysmëfinales, pasi ndeshjen e kthimit do ta zhvilloj shumë më e qetë, edhe atë para tifozëve të vetë.