E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veriu si Katalonia

Nga Express më 10 shtator 2011 në ora 09:33

Modeli më i ri për zgjidhje afatgjate në Kosovës është “Ahtisaari Plus”, ka deklaruar shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, duke propozuar madje që pjesa veriore e Kosovës të marrë një status autonomie, të ngjashëm me atë që ka Katalonia në Spanjë.

“Në Spanjë kemi Kataloninë, për shembull – ajo është pjesë e Spanjës, por janë shumë autonomë”, ka thënë Feith në një deklarim për EUobserver.com, transmeton telegrafi.

Feith citohet të ketë thënë se situata e re e krijuar në veri dhe vrasja e policit kosovar atje, Enver Zymberit, mund të shfrytëzohet si rast për ndryshime.

“Nuk ka fort gjasa që t’i kthehemi situatës që ishte më parë. Diçka ka ndryshuar përgjithmonë”, ka thënë Feith.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se në veriun e Kosovës ka nevojë për diçka tjetër dhe jo për kompetenca përtej atyre që parasheh Plani i Ahtisaarit.

“Atje ka nevojë për rend dhe ligj dhe për implementimin e Pakos së Ahtisaarit”, ka thënë Kuçi për Koha Ditore.

Feith në Euobserver.com ka lavdëruar shqiptarët e Kosovës për përmbajtjen e treguar gjatë kohës së tensioneve në veri dhe e ka këshilluar Prishtinën që të bëjë më tepër për të fituar besimin e serbëve të Kosovës. Ai i ka bërë thirrje edhe EULEX-it që të ngrejë aktivitetet në veri.

“Kemi nevojë të shohim arrestime – njerëz që vërtet hiqen nga rrugët dhe arrestohet”, është shprehur Feith, transmeton Koha.

Për integrimin e Serbisë në BE, ai thotë se “nuk mund të tolerojmë një kandidat të ri për anëtarësim në BE që të sjellë me vete një konflikt të ngrirë”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›