E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti: Kosova po i ndihmon Serbisë të hyjë në BE

Nga Express më 10 shtator 2011 në ora 12:55

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e kësaj lëvizjeje kundër bisedimeve ndërmjet Kosovës me Serbinë. Ai ka thënë se bisedimet pa kushte me Serbinë janë të dëmshme për Kosovën dhe se nga kjo do të përfitojë vetëm pala serbe.

Lëvizja Vetëvendosje të shtunën ka mbajtur mbledhjen e këshillit të përgjithshëm ku në rend dite ishte prezantimi i aktiviteteve të Vetëvendosjes dhe strategjia e veprimit për të ardhmen të këtij subjekti parlamentar.

Në fjalën e tij hyrëse lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se me kritikën dhe idetë e saj kjo lëvizje po ia kthen historinë politikës dhe politikën historisë.

Ai edhe njëherë tregoi se sa të dëmshme janë për vendin bisedimet, të cilat po zhvillohen me palën serbe në Bruksel, bisedime të cilat sipas tij ndihmojnë Serbinë që të hyjë në Bashkimin Evropian (BE).

“Sa më shumë që po bisedohet me Serbinë aq më shumë po humbim territor dhe aq më tepër jo funksional po bëhet shteti ynë. Bisedimet pa kushte për Serbinë mund të jenë qëndrime parimore dhe gjithsesi janë bisedime të dëmshme. Politika e Qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë është që ta shtyjë sa më parë Serbinë kah BE-ja, sepse ajo e sheh të vetmen rrugë të njohjes së Kosovës nga Serbia”, u shpreh Kurti.

Kurti nuk la pa përmendur edhe kontratën e Qeverisë së Kosovës me kompaninë “Bektel Enka” për autostradën Vërmicë-Merdare, derisa bëri fajtorë qeveritarët se me nënshkrimin e saj ata “po i lajnë borxhet e tyre me paratë e popullit”.

“Qeveria e Kosovës na ka dëshmuar që është vetëm për vete kontrata e “Bektel Enka” me qeverinë është si një kontratë paqeje midis ushtrisë ku njëra prej tyre ka kapitulluar dhe i pranon pra kushtet e përcaktuara me palën e dytë, mirëpo ne e dimë që Kosova nuk ka humbur kurrfarë lufte dhe e dimë që Kosova nuk i ka kujt borxh. Janë vetë qeveritarët që duket se kanë borxhe për mbetjen e tyre në pushtet, prandaj po i lajnë ato borxhe me paratë e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Për dallim nga Qeveria e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje sipas Kurtit vepron dhe angazhohet për zhvillim ekonomik që bazohet në prodhim vendor dhe rritjen e shkallës së punësimit.

Pas fjalimit të Kurtit, Këshilli i përgjithshëm i Vetëvendosjes ka vazhduar mbledhjen pa praninë e medieve, ku në rend dite është diskutimi i strategjisë së ardhshme të veprimit të këtij subjekti politik.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›