PD mbetet në Qeveri

Partia e Drejtësisë e ka konfirmuar qëndrimin në pushtet pavarësisht mosmiratimit të dy kërkesave nga Kuvendi i Kosovës për bartjen e shamive nëpër institucionet publike dhe futjen e mësim besimit nëpër institucionet arsimore.
Në mbledhjen e Kryesisë së PD’së, të mbajtur të premten, janë miratuar disa konkluzione, ku është kërkuar nga Qeveria të respektojë të drejtat për të praktikuar bindjet fetare në mënyrë të lirë dhe të themelojë Komisionit Qeveritar për shqyrtimin e modaliteteve të zbatimit të lëndës së arsimimit fetar në shkollat fillore dhe të mesme të vendit.
“PD thekson se do të jetë shumë i vështirë funksionimi i përfaqësuesve politik të PD’së si pjesë e Koalicionit Qeverisës në institucionet e vendit të cilat nuk respektojnë standardet ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut, përfshirë ato fetare, të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, thuhet në konkluzionet e PD’së.
Partia me ideologji fetare në Qeverinë e Kosovës thotë se do të vlerësojë zhvillimet e ardhshme dhe në bazë të tyre do t`ia propozojë Këshillit të Përgjithshëm të merr vendimet varësisht nga situata.
Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të PD’së pritet të mbahet në fund të javës së ardhshme.
“PD kërkon që Qeveria të sigurojë të drejtën kushtetuese për manifestimin publik të bindjeve fetare dhe të ndërpres të gjitha shkeljet e ligjeve në këtë aspekt, veçanërisht kur është në pyetje ndalimi i shkollimit të nxënëseve për shkak të bartjes së shamisë.
PD kërkon nga Kryeministri i vendit që debati i sforcuar, i papërgatitur dhe në masë të madhe i dëmshëm për kohezionin social dhe kombëtar të vendit të kanalizohet dhe të vihet në funksion të shtet-ndërtimit nëpërmjet”, thuhet në kërkesat e PD’së.